Është marrë në pyetje nga oficerët 39-vjeçari Arjan Doçi, i arrestuar për tentativën e trafikimit të 7 kilogramëve kokainë drejt Anglisë.
Ai ka treguar se e bën prej vitesh rrugën Shqipëri-Angli dhe anasjelltas, por kjo ishte hera e parë që merrte drogë.
Doçi ka deklaruar se kokainën e kishte marrë nga një person në Tiranë, por që nuk e dinte identitetin dhe kishte pranuar ta dorëzonte në Angli sipas koordinatave që ai i kishte dhënë.
Sipas Arjan Doçit, Mentor Çunin e kishte marrë me vete vetëm për ta ndihmuar për të shkarkuar mallrat në Itali.
Furgoni i linjës “Bledi Trans” shërbente vetëm për të dërguar mallra nga Shqipëria në Angli dhe anasjelltas.
“Kokainën ma dha një person në Tiranë që nuk u identifikua. Pagoi paratë për transportin dhe më dha koordinatat se ku do ta çoja. Atje më tha se më priste një person që do më gjente paratë.
Këtë intinerar kemi disa vite që e bëjmë, por kjo është hera e parë që mora përsipër të transportoja drogë. Pasi e ngarkuam në Tiranë, mora kushëririn (djalin e tezes) me vete për të më ndihmuar gjatë rrugës.
Fillimisht do shkarkonim disa pako në Itali, gjëra që familjarët u kishin dërguar të afërmve të tyre dhe më pas do vijonim udhëtimin drejt Anglisë.
Sa i përket drogës, nuk ua di emrat as atij që ma dha dhe as atij që e priste. Vetëm koordinatat.
Thjesht mora përsipër ta transportoja. Me shpresën se nuk do më kapnin gjatë rrugës’ ka deklaruar ai.
Ndërkohë nga kontrolli efektivët gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim 7 pako të mbështjella me natriban./OraNews