Misioni i KFOR-it në Kosovë ka mohuar raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizës, që tha se “KFOR-i kishte negociuar me tërheqjen e sulmuesve serbë nga sulmi në Banjskë”. KFOR-i tha se kjo s’është e vërtetë pasi “në asnjë moment nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”.
“Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për t’i rivendusr sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesetarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
“Pas një periudhe të shkurtër të depërshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën.
Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash anti-tank, lansues mortajash dhe granatash, mina anti-tank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet në draftraportin e prezantuar.