Lindita nuk kishte bërë gjumë të paqtë! Afër sabahut një ëndërr e kishte trishtuar sa nuk thuhet aty për aty, por më vonë mund t’i dalë për hajër. Ishte ngritur brof dhe kishte nxjerrë kokën jashtë dritares që të mbushej me frymë. Të zbardhurit e dritës kishte pritur e pothuaj me rëndje ia kishte behur në zyrë. Me nxitim kishte thirrur “tre musketierët”, Jonën, Kostaqin dhe Gencin. Nuk dinte si t’ia fillonte dhe një heshtje si lumë pa urë po e ndante prej tyre.
Ata të gjithë po shkurtoheshin, mblidheshin e bëheshin grusht sa Kosta. Më në fund foli: “Pashë në ëndërr se Babua me tha nuk do të shkel më në Kuvend, dhe lanet do ju bëj të gjithëve, në gjumë me ra të fikët”….! Jona ia kishte dhënë kujës me lebeti. Genci që nuk kishte dëshirë edhe aq të qante, i tha mos bëj kështu, aman, se na preke, por në fund u dorëzua, qau e ulëriti dhe ai sa e tundi.
Kostaqi, ndryshe nga dy të parët, nuk e dha veten, por e mbajti dhimbjen përbrenda, qante me mimikë dhe pa zë, si në filmat e viteve 20, mekej, që dhimbja të shprehej e qartë, por të mos i dilte vaji si zhurmë marmitë e prishur.
Lindita për një çast nuk kishte kuptuar ç’po ndodhte, por shpejt e kishte mbledhur veten! “Pushoni more shkanduj, kishte bërtitur, se ëndrrat i kam të kundërta në realitet. I bie që Babo do vijë në seancën me të afërt! Ndaj erdha shpejt, të sjell myzhdenë, por e tromaksur nuk e mblodha vetën”.
Lotët u thanë, fytyrat qeshën e buisën nga gazi, hareja feksi; u lumturuan të katërt, aq sa zyra nuk e mbante gëzimin, i cili sulmoi korridoret e godinës së stërmadhe të Kuvendit.
Si kujtim i trishtimit të thellë mbanë vetëm fytyrat e muhavitura, të fryra e të buçatura.
“Tani duhet një plan, tha Genci dhe do e bëj unë që mos ta japim sihariqin pa ndodhur mrekullia. Madje që i vogël doja t’i ngjaja Belul Gjonomadhit tek “Dimri i madh” dhe “Ballë për ballë”, ruante bazën natën me dyfek, mos na e merrnin rusët, them të marr një karabinë vetëmbushëse “Simonov”, model 56, dhe të shkoj herët të bëj roje se kurrë nuk i dihet!” Kosta e shikonte pa folur. “Më duket se më shumë i ngjan Belul Gjeraqinës”, mendoi.
“Qyqja tha Lindita, ju tepelenasit te pushkët e keni mendjen, të na akuzojë opozita për terror, Babon e ruan dashuria e vegjëlisë, ti merr një biçak a një pale llastiqe për vetëmbrojtje e aq!”
“Na rezulton që planet i bëjnë grekërit në histori, tha Jona, ata fusin kalin ku s’ta pret mendja, ndaj nderi dhe përgjegjësia i takon Kostaqit të Gramozit dhe Linditës, e pe si qau, veç me muskuj, pa zukama, tani po ashtu qesh butë pa kukurima! Të këpuste shpirtin, por të kursente drithërimën, jo si ne që e shndërruam në lëndinë lotësh. Tani të mbush me dritë”!
Kostaqi u dënd me frymë! Filloi të zbërthente planin strategjiko-taktik: “mendoj, tha, se ditën e hënë në mëngjes unë dhe Genci të shkojmë rreth e qark Kuvendit të veshur si punëtorë komunaleje. Gencin ta lëmë aty si pemë se i gjatë helbete, thjesht i vëmë ca degë artificiale jeshile anash. Lopë nuk baresin asaj ane që të rrezikojnë ta kafshojnë. Ndërsa vetë, po me kamuflazh.
Do ngjitem në pishën më të lartë dhe do vrojtoj! Kush e sheh i pari, fishkëllen viu viu viu, heq xhaketën dhe bën me shenjë, duke e rrotulluar në ajër! Nëse nuk kuptohemi, ti Genci merr një biçikletë bianchi të lenë si rastësisht ndanë një rrapi dhe vrapon t’i japësh lajmin Jonës te dera, e cila thërret motrani e shoqeni. Ato të dalin e të fillojnë festën në shkallë! E ndezin vetë se kanë eksperiencë.
Garda i zë gojën atyre të paudhëve Kryezëvendës Liderit Muli se buçet ai, dhe Liderit në perspektive Gaz Bardhit, që të mos llapë nga ato që të prishin gjakun! Apo atij Salianjit që është më i zi se dreqi i duhet sajuar diçka.
Ftohet edhe Gjekmarkaj se atë e gënjejmë me pak se atij qerratait i pëlqejnë skenat surreale, të rrijë tek karakolli i rojeve që të ndjekë eventin për kronikën, se kushedi ç’kujton se me të ndryshon Boten, mileti bën lek ai shkruan gjepura?!! Gjonçaj sikur doli nga kllapia “po të bënte lek nuk shkruan kronikën” e tha si maksimë.
Lindita menjëherë u bë me humor të mirë. “Vërtet këto tre vite jeni lodhur, keni hequr të zitë e ullirit, po me kaq e keni hallall rrogën, madje jam pishmane që nuk ju kam dhënë asnjë shtesë page, dhe nga një buzëqeshje prej Babos, qoftë edhe nga larg. Genci tha nga afër do qe më mirë dhe ajo shtesa punë bën! Po Jona ia priti, do dhe nga afër ti, nuk thua shyqyr se deputeteve nuk u flet fare.
Kosta miratoi me një gjest, tërheqje vetullash dhe hapje krahësh! Kostaqit po i ëndej ekspozimi i planit! Në shkallë të shfaqet dueti Etilda -Ismet Beqiri tek këndojnë “një luan ka sot bota, hëm Azia hëm Europa”. (shënim i autorit, Ismeti thotë si duet do bëjmë prokopi, eleganca e formës me fuqinë e tabanit popullor bashkë).
Dilua t’i shoqërojë me fizarmonikë, si dikur në të ri në vatër të kulturës zefiri. Toni të shpërndaje bekime e të hedhë sheqer e petale trendafili, si në dasmë. Lot gëzimi do ketë, aty Laerti bën të veten, i mbledh. Bora të pllaqurisë duart, por Ogi t’i rrijë afër për ta mbajtur nën zap se gëzimi të punon qindin. Se Ogi dhe e tepërta s’kanë asgjë të përbashkët, Ogi dhe masa po, janë një.
Mamica të verë një banderolë në hyrje “Po vjen si pëllumb i shkruar, të shpëtojë Kuvendin e uzurpuar” ose tek e fundit të kërcejë si në Milano po kushedi si na reagon Nallbati, na luan nga fiqiri?!
Të gjithë ata që ndihen të pasigurt për mandatin tjetër, t’i puthin gomat e makinës sapo të ndalet!! “Mjaft de mjaft, e ndërpreu Lindita, le t’ia lemë spontanitetit, megjithëse e kam shumë të vështirë të mendoj pse edhe ata dinsëzet e Opozitës, që iu plaçin sytë, nuk e kanë festë si ne?! Ukubetërit me prishin terezinë me prishin”.