Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Durrës. Eridion Cenameti u kap nga shërbimet e policisë së qarkullimit rrugor teksa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit e për këtë arsye u dërgua në spitalin e Durrësit për të marrë shërbimin mjekësor.
Teksa po kurohej ai është sulmuar nga 3 persona dhe është goditur me grushta prej tyre në pjesën e kokës e në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të klasifikuara të lehta nga mjekët.
Më pas agresorët janë larguar nga spitali.
Burime nga policia bëjnë me dije se djali që u kap në gjendje të pirë ka deklaruar në polici duke denoncuar se agresorët janë babai, xhaxhai dhe një i afërm i tyre, i së dashurës së tij.
Familjarët e vajzës kanë qenë kundër kësaj lidhje dhe në më shumë se një rast ata e kanë kërcënuar Eridionin që të hiqte dorë nga vajza e tyre e në një tjetër rast të zhdukej nga Durrësi me gjithë vajzën.
Pas kësaj ngjarje policia ka arrestuar 3 agresorët për plagosje të lehtë e për prishje të rendit publik.
Gjithashtu policia ka arrestuar edhe djalin që u godit për drejtim automjeti në gjendje të pirë.