Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u zotua se do të apelojë vendimin që e shpalli atë fajtor për 34 vepra penale që lidhen me përpjekjen e tij për të ndikuar në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve të 2016.
“Ishte një gjyq i montuar”, tha me zemërim zoti Trump, para një grupi gazetarësh dhe mbështetësish në kullën që mban emrin e tij në Manhatan.
Zoti Trump pretendoi pa prova se gjykatësi i çështjes ishte i korruptuar dhe i padrejtë dhe se procedurat ligjore në shtetin e Nju Jorkut ishin orkestruar nga presidenti Biden dhe zyrtarët federalë.
“Eshtë e rrezikshme dhe e papërgjegjshme që dikush të thotë se vendimi ishte i montuar vetëm sepse nuk i pëlqeu”, tha zoti Biden të premten.
Masa e dënimit do të shqiptohet në 11 korrik, në mes të fushatës së tij elektorale për të drejtuar sërish Shtëpinë e Bardhë dhe vetëm disa ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan, të 15 korrikut, ku ai pritet të emërohet zyrtarisht si kandidat për president.
Zoti Trump pritet të apelojë dënimin dhe mund të vazhdojë garën presidenciale. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara nuk e pengon atë që të bëhet president pavarësisht dënimit për kryerjen e veprave penale.
Zoti Trump u dënua pasi Michael Cohen, ish avokat i tij, dëshmoi se zoti Trump i kishte thënë “thjesht bëje”- pra të bënte një pagesë prej 130 mijë dollarësh para zgjedhjeve të 2016 për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj për një marrëdhënie intime që ajo thotë se kishte patur me zotin Trump një dekadë më herët.
Zoti Trump mohoi përsëri të premten të ketë patur një marrëdhënie me zonjën Daniels. “Nuk ka ndodhur kurrë, asgjë”, tha ai.
Arritja e një marrëveshjeje në këmbim të heshtjes nuk është e paligjshme. Zoti Trump u dënua për akuzat se falsifikoi të dhënat e biznesit të Organizatës Trump për të fshehur rimbursimin prej 130,000 dollarësh për zotin Cohen në vitin 2017, i cili e kishte paguar me fondet e tij zonjën Daniels. Rimbursim u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë së presidentit Trump. VOA
Trump shpallet fajtor për 34 akuza, ish-Presidenti i parë që dënohet