Mijëra besimtarë myslimanë po festojnë sot në Shqipëri Kurban Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të besimit të tyre.
Ata u mblodhën herët në mëngjes në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, ku uruan njëri tjetrin dhe ndoqën ceremonitë e festës, si dhe mesazhet e drejtuesve fetarë.
Drejtuesit fetarë u bënë thirrje besimtarëve për solidaritet me njerëzit në nevojë si dhe për një angazhim më të madh të intelektualëve në çështjet shqetësuese të shoqërisë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi në mesazhin e tij se kjo është një festë, në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.
Ai bëri thirrje që kjo festë të të shndërrohet në pikënisjen e reformimit shpirtëror dhe kulturor, për t’u kthyer në një shoqëri vlerash, ku të mbizotërojë dituria, e cila të lërë mënjanë të paditurit.
“Njerëzit e ditur janë busulla e një kombi. Nga dijetarët dhe intelektualët kërkohet të flasin më shumë. Duhet të dëgjohet zëri i tyre, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në dobi të të gjithë njerëzve. Kështu merr kuptim edhe dija e tyre dhe vlera e saj. Nëse ata heshtin, hesht njerëzimi, ose flasin ata që nuk dinë. Shenja e shkatërrimit të kësaj bote ështëkur flet i padituri dhe hesht i mençuri”, tha zoti Spahiu. /VOA