Në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit që është tërhequr për të marrë një vendim përfundimtar për Alfred Belerin, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës e së fundmi edhe europarlamentar grek, ka hapur një tjetër betejë në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë ka regjistruar rekursin e Belerit kundër një vendimi të SPAK për të mos hetuar një kallëzim të bërë prej tij.
Bëhet fjalë për vendimin e 3 gushtit 2023 të SPAK për “mosfillim procedimi penal”, për kallëzimin e bërë nga Beleri për “falsifikim” dhe “shpërdorim të detyrës”. Në kallëzimin e tij, kryebashkiaku i zgjedhur pretendonte falsifikim të dy akteve që ndodheshin në dosjen hetimore ndaj tij, dëshminë e penalitetit dhe regjistrin e procedimeve penale te Prokurorisë së Vlorës. Vendimmarrjen e SPAK për të mos nisur hetim penal, Beleri kundërshtoi fillimisht në Gjykatën e Posaçme e në Apel dhe së fundmi në Gjykatën e Lartë.