Javën që kaloi vizitoi Shqipërinë një delegacion nga komuniteti arbëresh i Italisë në përbërje të të cilit ishin përfaqësues të klubeve Lions “Guvernatori i Distriktit 108 YA”, “Lions Club San Cosmos Albanese Arbëria”, si dhe “Arbëreshet e Kalabrisë”. Në kuadër të kësaj vizite miqtë nga Italia ndanë takime të përzemërta dhe vëllazërore me bashkëpunëtorë dhe partnerë në vendin tone. Një nga castet kulmore të kësaj vizite ishte pritja në presidencë nga presidenti i Republikës z. Bajram Begaj.
Të premten në mesditën e 14 qershorit 2024 delegacioni italo-arbëresh i kryesuar nga z. Pasquale Bruscino, Guvernatori i Distriktit 108YA, z. Angelo Viteritti, President i “Lions Club San Cosmos Albanese Arbëria”, Z.Dammiano Baffa, Kryetar i Komunës të San Cosmo Albanese bashkë dhe bashkëpunëtorë të tyre u pritën nga Presidenti Begaj. Pjesë e këtij delegacioni ishin znj. Eralda Boriçi përfaqësuese për Shqipërinë e “Lions Club International” , z. Alban Suku President i “Lions Club Apollonia Fier si dhe znj. Alma Guma Z/Presidente e ketij klubi. Pas takimit në presidencë delegacioni italo-arbëresh udhëtoi drejt qytetit të Fierit ku edhe u pritën nga përfaqësues të këtij klubi.
Presidenti Begaj vlerësoi nismat e konkretizuara nga organizatat e pranishme, nisma që po nxisin zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë. Duke vlerësuar moton e organizatës – “Ne shërbejmë” Presidenti ju drejtua të pranishmëve: “Ju jeni shembull i atdhedashurisë! Vijoni të bëni vepra me dashuri, se do të merrni falënderime me zemër”. Duke sjellë për të pranishmit figurën e Nënë Terezës dhe të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Presidenti Begaj theksoi: “Ata na kanë treguar se po të jemi bashkë, do të jemi më të fortë e do të mund të bëjmë gjëra më të mëdha për atdheun, për shqiptarët”. znj. Eralda Boriçi përfaqësuesja e “Lions Club International” për Shqipërinë e citoi këtë takim si: “Një ceremoni e bukur me vellezërit tanë Arbëreshë…
Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë përkrah njëri – tjetrit për të bërë gjëra të bukura me dashuri dhe zemër të madhe”. Ndërsa z. Suku drejtuesi i klubit të qytetit të Fierit u shpreh mirënjohës për takimin dhe për mundësinë për të vlerësuar nga afër mbështetjen që Presidenti Begaj u jep nismave humanitare. Duke u ndalur tek veprimtaria në Shqipëri e Lions Club International disa kohë më pare znj.
Borici në një intervistë dhënë për mediat përshkruante “aktivitetet e shumta të kryera me mbështetjen e zyrave qendrore të “Lions International” përmes granteve, përmes kontributeve të anëtarëve të klubeve, përmes bashkëpunimeve me klube Lions në Evropë ndërsa fliste për zgjerimin e klubeve për rininë nga mosha 18-30 vjeç. “Misioni ynë është të fuqizojmë klubet, vullnetarët dhe partnerët e “Lions”-it për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqënien, për të forcuar komunitetet…Motoja jonë është shërbimi ndaj komunitetit” shprehej përfaqësuesja për Shqipërinë e “Lions Club International”.