Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde u shpreh se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe gjithçka varet nga takimi që do të mbahet në Bruksel.
Rohde ka deklaruar se është në duart e shteteve anëtare se cili do të jetë vendimi përfundimtar që do merret në raport me Kosovën, sa i përket vendosjes së masave nga BE-ja.
“Ky është një diskutim që duhet bërë në Bruksel, ne do të duhet të shohim mirë se çfarë do të vendosin. Tani është në dorën e shteteve anëtare, mendoj se i posaçmi i BE-së për dialogun ishte dje në Kosovë, ai dha mendimet e tij, masa duhet të hiqen, të shohim se çfarë vjen”, ka thënë Rohde për Ekonomia Online.
Në vizitën e tij në Kosovë, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, emisari Miroslav Lajçak u deklarua për media ku tha se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizimit dhe se çfarë hapa duhet të ndërmerren.