Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për humbjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Meta shprehet se kombi shqiptar ka humbur sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlera dhe forcës krijuese.
Ai theksoi se Kadare me përmasa botërore na ka bërë të gjithëve krenarë.
“Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë”, shkruan Meta.
Më tej ai iu shpreh ngushëllimet familjes së Kadares, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar.