Bashkia e Tiranës nderoi sot në një ceremoni të posaçme, ish-ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, me “Çelësin e Qytetit” në shenjë mirënjohje për kontributin e tij gjatë shërbimit si diplomat në vendin tonë. Ai tha se nuk do të flasë për tre gjëra; politikë, reformën në drejtësi dhe SPAK-un.
“E pranoj me shumë modesti ‘Çelësin e Tiranës’. Këto ditë pashë Tiranën që ka ndryshuar kaq shumë. Kur u largova 10 vite më parë, kam thënë se jam shumë optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe e kisha me të vërtetë këtë. Ishte një pjesë e imja e cila, kishte pak dyshime për mënyrën se sa kohë do të zgjaste ky ndryshim, ky transformim.
Nuk po them që të gjitha janë fantastike, të shkëlqyera, por pas disa ditësh në Tiranë ndihem shumë, shumë më mirë. Ndihem me më shumë besim, kam më shumë besim se sa kisha 10 vite më parë kur u largova. Shqipëria do të jetë shumë mirë, në rrugë të mbarë, dhe ju do të gjeni rrugën tuaj me vendimet tuaja.
Kam shpresë që miqtë e mi përtej oqeanit, jashtë Shqipërisë, të cilët duan më të mirën për ju, kanë besim tek ju për të marrë vendimet e duhura. Nuk duhet ta marrin ata vendimin, ata do iu mbështesin juve, kurse ju jeni vendimmarrësit dhe ju do merrni vendimin e duhur”, tha Arvizu.