Egnatia-Borac, e vlefshme për fazën eliminatore të Champions League, është mbyllur me rezultatin 2-1 në 90 minuta dhe tashmë do të luhet shtesa prej 30 minutash për të përcaktuar skuadrën që shkon në fazën e ardhshme, pasi takimi i parë ishte mbyllur 1-0 me fitoren e boshnjakëve.
Kampionët e Shqipërisë e nisën ndeshjen në Elbasan Arena mjaft mirë, duke kaluar në avantazh me anë të turkut Melih Ibrahimoglu në minutën e 17, por boshnjakët barazuan rezultatin në minutën e 30.
Rrogozhinasit e rritën presionin në pjesën e dytë dhe përpjekjet e tyre u konkretizuan në minutën e 82 nga Doukouo, i cili shënoi pas një aksioni perfekt. Tashmë do të luhen 30 minutat e shtesës dhe nëse rezultati nuk do të ndryshojë do të goditen penalltitë.
Tifozët e Egnatias, të pranishëm në “Elbasan Arena”, vendosën t’i kundërpërgjigjeshin racizmit të boshnjakëve të Banja Lukës në ndeshjen e parë me flamuj kuqezinj, teksa, para fillimit të ndeshjes, ishin afro 100 flamuj të Shqipërisë që u shpalosën nga tifozët rrogozhinas.
Nuk mungoi as një banderolë ku shkruhej: “Luftojmë për shqiptarinë” .