Sekuestrohen 120 çadra dhe shezlongë si dhe nisi hetimi për dy persona në Gjip.
‘Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, Policia kreu kontrolle në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe. Lirohet hapësira në vijën bregdetare në Gjipe.
Procedohen penalisht 2 shtetas, të cilët ndërtuan pa lejen e organeve kompetente, 2 struktura druri (beach-bar) dhe zunë hapësirën publike në këtë zonë të mbrojtur, duke vendosur çadra dhe shezlongë.
Sekuestrohen 120 çadra dhe shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që ndërtojnë pa leje dhe vendosin çadra dhe shezlongë, Komisariati i Policisë Himarë dhe Stacioni i Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Ll. Sh. dhe A. Z., të dy banues në Dhërmi.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në Gjipe.
Gjithashtu, nga ana e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për këtë rast, është vendosur masë administrative, si dhe masë plotësuese për kthim në gjendjen fillestare të hapësirës së zaptuar në mënyrë të paligjshme nga këta dy shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë.’, njofton policia.