Një operacion i përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze është finalizuar me asgjësimin e rreth 11 mijë bimëve narkotike dhe arrestimin e një 27-vjeçari nga Shkodra. Parcela me bimët narkotike është zbuluar në kufirin me Malin e Zi.
“Sot, më datë 25.07.2024, në orët e para të mëngjesit, pas një hetimi disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në kushte të vështira operacionale, është zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor kundër kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e Malësisë së Madhe, njësia administrative Kelmend, fshati Selcë, në vendin e quajtur “Bjeshkët e Gërçes”, në afërsi të kufirit me Malin e Zi.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhjetëshe, me municion dhe 1 armë gjahu çifte që posedoheshin pa leje” njofton policia.