Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit korrik. Disa operacione, shumë arrestime dhe sekuestrime. Gjatë muajit korrik sipas policisë në të gjithë territorin e vendit janë finalizuar 115 operacione policore, janë finalizuar 13 operacione policore ndërkombëtare, në bashkëpunim me Europolin, partnerët italianë, spanjollë, gjermanë dhe malazezë, janë vënë në pranga 607 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale nga të cilët 81 ishin të shpallur në kërkim.
Gjithashtu janë asgjësuar 103 284 fidanë e bimë narkotike cannabis sativa. Janë arrestuar 13 autorë të dyshuar kultivimi dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 për shpërdorim të detyrave, janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, 38 armë zjarri, rreth 2 kg kokainë dhe dhjetra doza të lëndëve narkotike cannabis sativa, kokainë dhe heroinë, janë goditur 5 grupe kriminale në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Berat, gjatë operacioneve “Summer”, “Oblika”, “Old plants”, “Tempulli 3” dhe “Lidhjet”. Këtyre grupeve iu vunë në pranga 50 pjesëtarë dhe iu sekuestruan asetet.
Por punën dhe besimin e rrëzon një shuplakë që drejtori i policisë Rrugore Altin Qato qëlloi pasditen e djeshme një qytetar në Thumanë ku banorët e zonës protestuan për shkak se autostrada e re i ka bllokuar pa asnjë hyrje-dalje. Qato u pezullua, por njolla mbeti.