Skandali me rastin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit ka përfshirë në akuza kampin shqiptar në Maqedoni, VLEN-in që është në qeveri dhe opozitën e drejtuar nga Ali Ahmeti.
VLEN përmes një komunikate i ka parashtruar dy pyetje BDI-së. “BDI-ja me vetëdije dhe me qëllim përpiqet të manipulojë me opinionin publik. Autoritetet kosovare qartë dhe pa mëdyshje shprehën dyshimin se incidenti është provokuar qëllimisht me synimin për të përkeqësuar marrëdhëniet bilaterale me Kosovën.
Fakt i njohur është se para dhe gjatë fushatës zgjedhore BDI-ja nuk hezitonte të shfaqte pakënaqësi ndaj funksionarëve shtetërorë kosovarë sepse nuk e morën mbështetjen e tyre politike.
Nuk është rastësi që dje përmendëm se nuk do të habitemi nëse njerëz të afërt me personin A.G., i njohur për korrupsion të madh politik dhe bizneset e kazinove, janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në incidentin e aeroportit.
Meqenëse BDI-ja dërgon komunikata paniku, ndërsa ne nuk duam të pengojmë hetimin, sot do të shtrojmë dy pyetje për opozitën BDI:
Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh?
Sa krime kanë bërë ish-funksionarët e BDI-së kur në mënyrë kaq poshtër përpiqeni të përfshini Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në përpjekje për të krijuar tensione për të bërë shqiptarët pengje për t’i shpëtuar përgjegjësisë gjyqësore?”, pyesin nga VLEN.