Gjatë muajit gusht në sheshin Skënderbej në Tiranë janë vendosur Çadrat e Kujdesit që tu vijnë në ndihmë qytetarëve.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se Çadra e Kujdesit shërben për tu freskuar, për të matur tensionin, për të qëndruar në hije etj.
Veliaj bën një thirrje qytetarëve sidomos moshës së tretë që të mos dalin nga shtëpia nëse nuk kanë ndonjë gjë urgjente.
“Thirrja është: qëndroni të hidratuar, shmangni daljet e panevojshme, dhe mbani një sy hapur për të dashurit tuaj. Do të doja që të gjithë të tregojmë pak kujdes për njëri-tjetrin. Qyteti i mirë është ai që funksionon si familje”, deklaroi Veliaj.
Ai theksoi se në Çadrën e Kujdesit është menduar dhe për katër putroshët dhe u bën thirrje qytetarëve që ikin me pushime që të mos i braktisin kafshët.
“Gushti është muaji më i vështirë për shërbimet veterinare sepse ka shumë njerëz që, për të dalë në fotografi thonë se e kanë kafshën si njeriun e shtëpisë, ama njeriun e shtëpisë ti nuk e lë në shtëpi në gusht, kur ikën me pushime, e merr me vete. Mos e lësho në rrugë. Nuk është e ndershme të blihen kafshë shtëpiake që i trajtojmë si lodra, ndërkohë që janë qenie të gjalla. Së pari, është e paligjshme dhe kriminale, së dyti është jo njerëzore”,shprehet Veliaj.