Kontejnerët e nisur nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, do të kthehen sërish në Shqipëri. Kompania Maersk ka vendosur të ndalë transportin e tyre për në Tajlandë pas denoncimeve nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.
Më shumë se 800 ton mbetje industriale janë dërguar në Tajlandë, por tani anijet që i transportojnë do të rikthehen në Shqipëri.
Anija me 40 kontejnerë do të mbërrijë në Singapor dhe do të kthehet në Itali e më pas në Durrës. Po ashtu, anija tjetër me 60 kontejnerë pritet të mbërrijë në Singapor në fund të gushtit dhe gjithashtu do të kthehet në Shqipëri.
Zëdhënësja e Maersk, Sumerr Shi, ka konfirmuar se kompania do të sigurojë kthimin e sigurt të kontejnerëve në Shqipëri. Alarmi për këtë ngarkesë u ngrit nga “Basel Action Network”, një organizatë që monitoron tregtinë e mbetjeve toksike.