Ditën e sotme do të nis edicioni i 86-të i kampionatit ‘Abissnet Superiore 2024-2025’.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka dhënë një mesazh për të gjitha klubet, trajnerët, futbollistët dhe stafet e çdo ekipi në prag të nisjes së edicionit.
Duka shprehet se ky sezon shënon një hap tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e futbollit shqiptar duke ofruar mundësinë për të përjetuar momente, emocione, garë dhe respekt për kundërshtarin në fushën e lojës.
“Me gjithë vështirësitë e mëdha financiare, uroj që këtë sezon të kemi një nivel edhe më të lartë sportiv e konkurence, ku klubet tona t’i bëjnë krenarë tifozët e tyre jo vetëm në kampionatin vendas, por edhe në kompeticionet europiane, ashtu siç bëri ekipi Kombëtar shqiptar në kualifikueset e Europianit dhe në finalet e Euro “Gjermani 2024”, shkruan Duka.
Ai bën thirrje për krijimin e një shtrati ligjor për mbështetjen e sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti.
“Le të shkruajmë së bashku një tjetër kapitull të shkëlqyer në historinë e futbollit shqiptar”, shprehet Duka.