Lideri i opozitës Sali Berisha në tubimin në banesën e tij u shpreh se Erion Veliaj po bën krimin më të shëmtuar ekonomik pasi ka marrë me qira makina me një çmim prej 2.7 milionë euro.
“Nuk ka krim më të shëmtuar ekonomik se ky, të marrësh me qira 2.7 milionë euro makina me një çmim më të madh se sa t’i blesh ato të reja, do të thotë të vjedhësh të paktën 70 përqind të atyre parave, në një kohë kur ju garantoj ju se përveç të zgjedhurve, nuk do ketë njeri veturë shtetërore. Asnjë njeri nuk do mund të ketë veturë shtetërore përveç të zgjedhurve, të votuarve nga qytetarët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese”, tha Berisha.
Më tej ai u shpreh se të marrësh 2.7 milionë euro vetura me qira për hajdutët e bashkisë është krim.
“Të marrësh sot 2.7 milionë euro vetura me qira për hajdutët e bashkisë është krim, është ndëshkim për qytetarët shqiptarë. Vetura që i përdorin për të vjedhur naftë nga mëngjesi gjer në darkë me taksat e shqiptarëve. I përdorin për qëllime personale nga mëngjesi gjer në darkë, për udhëtime në Shqipëri dhe rajon, duke shtuar vjedhjen, varfërimin e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.