Zbardhen detaje të reja nga vrasja që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku një grua vrau kunatin me armë zjarri.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se vrasja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:00, ndërsa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe 4 predha.
“Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë”, thuhet në raport.
Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale.
E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.