Zoran Vukotiq, ish-pjesëtar i policisë serbe dhe i dënuar me 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës, është nën akuzë për një sërë krimesh të tjera lufte.
Në një proces të ri gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Vukotiq akuzohet për një tjetër rast dhunimi, pjesëmarrje në Masakrën e Studimes, dhe për vrasjen e civilëve, përfshirë një 13-vjeçar.
Gjykata ka miratuar bashkimin e katër lëndëve gjyqësore të lidhura me krime lufte për të cilat Vukotiq është i akuzuar, duke ndjekur precedentet e mëparshme në Gjykatën Speciale dhe Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka konfirmuar se tani ndaj Vukotiq do të zhvillohet një procedurë e vetme për të gjitha këto akuzat.