Gjykata e Posaçme ka caktuar një tjetër masë sigurie ‘arrest në burg’ për Firdeus Berberin.
Ai u ekstradua nga Greqia më 21 gusht 2024 dhe akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe roli i tij është zbuluar nga dëshmia e Artan Tafanit, i penduar i drejtësisë.
Sipas Tafanit në shkurt të vitit 2023, Berberi në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe një anëtar tjetër të grupit kanë vjedhur me dhunë një automjet në Durrës, për ta përdorur më pas për ngjarje kriminale.
Berberi akuzohet gjithashtu edhe për kërcënimin e dy punonjësve të policisë gjatë operacionit për arrestimin e Artan Tafanit në zonën e Astirit në Tiranë. Në atë kohë ai ishte në kërkim për plagosjen e Johan Muçllarit, djalin e një biznesmeni në Pogradec dhe fshihej në Tiranë.
Berberi u arrestua në Greqi bashkë me Laert Haxhiun në maj të 2023 në një kohë kur ky i fundit konsiderohej nga autoritetet shqiptare si një nga 5 më të kërkuarit në vend.