Në 10 vjet, Agjencia e Trajtimit të Pronës (ATP) ka shpenzuar 24 milionë euro për paga, për shpërblime punonjësish apo për rikonstruksione zyrash dhe ka paguar vetëm 85 milionë euro nga afro 1 miliard euro, që është fatura e kompensimit, për ish-pronarët
Tanush Mulleti, nipi i Qazim Mulletit (kryebashkiak i Tiranës, 1939-1940, dhe prefekt i saj, 1942-1944) prej vitit 1994, pas miratimit të ligjit të parë për kthimin dhe kompensimin e pronave u end nëpër gjykata për të përfituar kompensimin për 113 dynymë tokë të familjes së tij pranë varrezave “Dëshmorët e Kombit” në zonën e njohur si Kodra e Mulletit, në Tiranë.
Tanushin, kur e takuam në shtëpinë e tij, që ndodhet në zemër të Pazarit të Ri të Tiranës, rrëfeu për INA Median (për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk pranoi të fotografohej), odisenë për marrjen e kompensimit financiar, që nis pas vendimit të vitit 2016 të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Në vendim trualli u vlerësua si tokë bujqësore dhe nuk mund të përfitohej asnjë vlerë kompensimi. Me ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës” vendimet e dhëna nga ATP janë të barasvlershme me vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative. Për rrjedhojë, familja Mulleti e ankimoi në vitin 2017 në Gjykatën Administrative të Apelit. Një vit më pas, Apeli vendosi se vendndodhja e pronës, që prej vitit `43, është brenda vijës së verdhë, kufizuese, duke e vlerësuar për kompensim me 26 milionë euro.
Për shkak të mosekzekutimit të këtij vendimi, Mulleti iu drejtua Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ). Ankesa u kthye, me argumentin e shprehur te vendimi “Beshiri dhe 11 kundër Shqipërisë” të 17 marsit 2020, që Gjykata e Strasburgut njeh si titull ekzekutiv, gjyqësor, atë të Gjykatës së Lartë. Pra, vendimeve të pronarëve iu shtua edhe hallka gjyqësore e Gjykatës së Lartë.
“Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg me vendimin e 17 marsit 2020 ka thënë që ligji i ri i pronave plotëson kërkesat e Konventës, ndaj duhet të shihet tani zbatimi në praktikë i ligjit të ri, duke përfshirë që edhe vendimi i ekzekutueshëm, përfundimtar është i Gjykatës së Lartë”, – argumentoi për INA Median juristi Viktor Gumi, njëkohësisht përfaqësues ligjor i disa familjeve në Gjykatën e Strasburgut për çështjen “Beshiri dhe 11 kundër Shqipërisë”.
Në kuadër të rekomandimeve të dhëna nga GJEDNJ në vendimin “Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera”, si dhe vendimit nr. 4, datë 15.02.2021 të Gjykatës Kushtetuese, u bë plotësimi i ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës”.
“Ndryshimet synuan që të përshpejtojnë procesin e kompensimit dhe përfundimin e tij deri në shkurt të vitit 2026. Në ligj u rishikua edhe afati i shqyrtimit dhe i vlerësimit financiar të kërkesave për njohjen e së drejtës së pronësisë deri në dhjetor të vitit 2024”, – pohon ATP për INA Median. Sipas ATP, me ligjin e ri vendimet me ndryshim të zërit kadastral përfitojnë kompensim jo më pak se 10% të vlerës së pronës së njohur për kompensim, ndërsa kategoritë e tjera përfitojnë 100% kompensim, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.
Tanush Mulleti humbi jetën më 20 maj 2024, në moshën 79-vjeçare, pa marrë kompensimin financiar për pronën e shtetëzuar në periudhën komuniste, për të cilën priti, që kur ishte 48 vjeç.
26 mijë dosjeve në pritje që nga viti `93 duhet t’iu paguhen 1,1 miliardë euro kompensim
Nga viti 1993, kur hyri në fuqi ligji i posaçëm i pronave, ATP ka vlerësuar 26,092 vendime përfundimtare, për të cilat është njohur e drejta e kompensimit. Fatura financiare e kompensimit llogaritet në vlerën 116,15 miliardë lekë (rreth 1,1 miliardë euro).
Për kryetarin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, fatura e llogaritur nga institucionet shtetërore, sipas çmimit të tokës të përcaktuar në vendimin pilot të vitit 2012 nga Strasburgu, ishte rreth 6 herë më e lartë.
“Për vendimet përfundimtare që nga viti 1993 deri në vitin 2015, që përfshijnë 7,200 ha tokë truall dhe 66,000 ha tokë bujqësore, pyje dhe kullotë, fatura financiare e kompensimit u llogarit 6,5 miliardë euro. Fatura u zhvlerësua në 1 miliard euro, pasi me ligjin e vitit 2015 kompensimi u bazua te zëri kadastral i pronës në kohën e shpronësimit dhe jo te zëri kadastral i pronës së shpronësuar”, – pohon ai.
ATP ka shpenzuar në 10 vite 24 milionë euro për mbajtjen e punonjësve
Por, pavarësisht faturës së lartë të kompensimit financiar, shlyerja e së cilës rezulton se ka ecuri të ngadaltë dhe e vetmja skemë, që ka funksionuar, ka qenë ajo e kompensimet me këste deri në 40% të vlerës, duke hequr dorë nga pjesa e mbetur, ATP nuk i ka frenuar shpenzimet për mbajtjen e personelit.
Për periudhën 2013-2023 ATP ka shpenzuar për paga punonjësish, për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, për shpenzime për mallra, për hartime projektesh, për rikonstruksione zyrash, për transferta për buxhete familjare, për transferime të brendshme, korrente (ku përfshihet fondi për kompensimin financiar të ish-pronarëve), rreth 18,7 miliardë lekë apo 187 milionë euro.
Vetëm për pagat, për sigurimet dhe për shpërblimet shuma është 24 milionë euro. Nga këto plot 60 milionë lekë i kanë marrë të larguarit nga puna të periudhës 2013-2020. Për vitet 2021-2023 nuk ka pasur shpenzime për këtë zë.
Të dhënat tregojnë diferencat e mëdha të shumës së akorduar nga buxheti i shtetit dhe shpenzimeve të kryera nga ATP për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Përkatësisht në 10 vite, për periudhën 2013 deri në vitin 2023, buxheti faktik për kompensim financiar është 15,8 miliardë lekë, por në 10 vite, nga të dhënat e ATP për vlerën e kompensuar, që INA Media i disponon dhe i ka analizuar, rezulton se janë shpërndarë 8,5 miliardë lekë apo 85 milionë euro. Shpenzimet e realizuara për kompensim financiar janë 47% më pak nga sa ishte parashikuar; ndërsa shteti llogaritet se ndaj ish-pronarëve vetëm për kompensimin financiar do të paguajë faturën prej 1 miliard eurosh. Realizimi është shumë larg faturës së re, të llogaritur.
Myrshit Vorpsi, nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”, pohon se 8,5 miliardë lekë janë përfituar vetëm nëpërmjet procedurave të përshpejtuara për ata pronarë, që kanë pranuar të marrin 20% të vlerës së kompensimit brenda vitit dhe që kanë pranuar të heqin dorë për 80% të vlerës së mbetur. Të tjerët, sipas tij, janë pronarë, që kanë pranuar të marrin 40% të vlerës me këste të barabarta kompensimi, por për një afat 5-vjeçar dhe kanë hequr dorë nga pjesa e mbetur; apo përfitim kompensimi brenda vitit për 20% të totalit të vlerës financiare, duke hequr dorë nga pjesa e mbetur. Vorpsi shton se, nga 26 mijë dosjet përfundimtare ATP nuk ka ekzekutuar as 10% të tyre.
Skema është e përcaktuar në ligjin për pronat, të miratuar në vitin 2015. Neni 17 “Për shqyrtimin e kërkesave të veçanta për kompensim financiar” përcakton që mund të bëhet deri në 40% kompensimi i pronarëve, por kjo bëhet brenda një afati 5-vjeçar. Pra, pronarët mund të marrin deri në 40% të vlerës së kompensimit dhe pagesa bëhet me këste, që do të thotë për një periudhë 1-vjeçare, për 3 apo për 5 vite.
Nëse zgjedhin të kompensohen për 5 vite, marrin 40% të vlerës së kompensimit dhe heqin dorë nga pjesa tjetër e vlerës. Nëse zgjedhin, që të shlyhen për 3 vite, marrin 30% të kompensimit. Për marrjen e kompensimit financiar për 1 vit përfitohet vetëm 20% e totalit dhe hiqet dorë nga pjesa e mbetur.
“Kjo është një formulë për të reduktuar faturën e kompensimit. Kjo ka qenë e vetmja skemë aktive pas reformimit të ligjit të miratuar në vitin 2015, ku nuk janë ekzekutuar as 10% e vendimeve. Pjesa dërrmuese e ish-pronarëve të mëdhenj në Tiranë nuk e kanë pranuar këtë metodologji”, – nënvizon Vorpsi.
Po ashtu, shpërndarja e parave është shumë larg shumave të përcaktuara në ligjin e vitit 2015 “Për trajtimin e pronave”, në vlera që nisnin nga 3 deri në 6 miliardë lekë në vit. Edhe ATP pohon se, me nisjen e zbatimit të ligjit të ri në shkurt të vitit 2016, buxheti i shtetit miraton çdo vit buxhetor një fond të dedikuar, financiar, sipas shtojcës 2 të përcaktuar në ligj, por jo më pak se 50 miliardë lekë apo 500 milionë euro në 10 vjet.
Për rrjedhojë, nga totali i fondit prej 50 miliardë lekësh për 8 vitet e para të zbatimit të tij duhet të ishin shpërndarë për ish-pronarët rreth 35 miliardë lekë, por shuma faktike, e shpërndarë nga viti 2016 deri në vitin 2023, rezulton se është 76% më pak nga sa ishte parashikuar.
Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, fondi i parashikuar në ligji nuk është në përputhje me mundësinë e buxhetit të shtetit. Sipas tij, përllogaritjet do të ishin më reale dhe më të zbatueshme, nëse do të ishin të kushtëzuara nga rritja ekonomike e vendit dhe jo nga viti buxhetor.
“Përllogaritjet për fondin financiar të kompensimit të pronarëve, të parashikuara në ligj, nuk janë në përputhje me mundësitë e buxhetit. Në total madhësia vjetore e buxhetit të shtetit arrin 6 deri 7 miliardë euro.
Fondet e parashikuara më tepër synojnë përdorimin politik për qëllim elektoral, që dëshmohet me realizimet faktike të dhënies së kompensimeve. Nga 35 miliardë lekë të parashikuara në ligj, që duhej të ishin shpërndarë deri më tani për këtë shtresë, janë dhënë vetëm 8,5 miliardë lekë. Përllogaritjet nga ligjvënësit të jenë të kushtëzuara mbi rritjen ekonomike”.
Sakaq, ligji nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” përcakton përfundimin e procesit për njohjen e pronësisë për dosjet pa vendim deri në dhjetor 2024 dhe përfundimin e kompensimit financiar në shkurt të vitit 2026.
A do të përfundojë procesi i kompensimit financiar brenda shkurtit 2026?
Në 30 vite legjislacioni për kthimin dhe kompensimin e pronave ka ndryshuar disa herë. Edhe ligji i fundit, i miratuar në vitin 2015, që parashikonte të përshpejtonte procesin, është ankimuar disa herë në Gjykatën Kushtetuese. Komuniteti Mysliman ishte i fundit që e çoi në Gjykatë më 23 nëntor 2023. Në padi kundërshtohej metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat, ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral. Sipas ligjit, më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re, duke penalizuar pronarët, të cilëve iu ndryshon zëri kadastral. Ata do të duhet të mjaftohen vetëm me 10% të vlerës nga vlera e pronës në tregun e sotshëm.
Për katër muaj, deri në shkurt 2024, kur Gjykata rrëzoi pretendimet e Komunitetit Mysliman, ligji nuk u zbatua. “Përmbajtja e dispozitës në fjalë nuk e cenon të drejtën e pronës së ish-pronarëve”, – argumentohej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2024.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit
Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, përfundimin e kompensimit të pronave me ritmin që po ecën procesi, e sheh të parealizueshëm deri në shkurt 2026.
Në 7 vite të ligjit nr. 133/2015 (2015-31 dhjetor 2022), sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të publikuar në maj 2023, ATP ka ekzekutuar vetëm 794 vendime për kompensim financiar nga 18,734 vendime përfundimtare apo 8,4% e totalit.
Raporti sjell në vëmendje 50 raste abuzive të praktikave të ndjekura nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave për kërkesa të veçanta të kompensimit financiar apo kompensimit fizik.
Problemet me fondin fizik
Problematik dhe i parealizueshëm rezulton edhe kompensimi fizik. ATP nuk ka të dhëna të sakta për fondin e kompensimit fizik të pronarëve të shpronësuar.
Deri në vitin 2016 ishin depozituar 10,131 dosje për shqyrtim nga subjektet e shpronësuara të 12 qarqeve të vendit, në një sipërfaqe toke prej 116,633 ha. Përkatësisht, 4,185 ha truall, 85,599 ha tokë bujqësore, 26,849 ha pyll dhe 31,575 ha livadh dhe kullotë.
Deri tani ATP ka verifikuar 23 mijë hektarë tokë apo 20% të sipërfaqes së tokës, që nevojitet, nga dosjet e depozituara për shqyrtim. Por, edhe ky fond fizik, që ka në dispozicion ATP, rezulton me probleme dhe nuk mund t’iu shpërndahet ish-pronarëve.
“Në Sektorin e Verifikimit të Fondit Fizik po mblidhet i gjithë informacioni prej prefekturave dhe do të vijohet me verifikimin e këtyre pasurive (pasi në materialet e dërguara deri më tani kemi konstatuar shumë të dhëna jo të sakta apo jo të plota në lidhje me pasuritë), dhe më pas do të përgatitet materiali përkatës për Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë që të vazhdohet me procedurat institucionale, që këto pasuri të kalohen me VKM në dispozicion të ATP-së, si fond për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara”, – citohet në raportin vjetor 2023 të ATP-së.
Puna e Agjencisë së Trajtimit të Pronave për njohjen dhe kompensimin e pronës bashkërendohet me një sërë institucionesh të tjera, përfshirë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, Avokaturën e Shtetit, Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Arkivin e Shtetit, Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit dhe organet e pushtetit vendor.
Sipas ekspertëve, njohës të procesit të verifikimit të pronave në terren, duke qenë shumë palë të përfshira, procesi ka hasur probleme. Sipas tyre, në fondin e kompensimit janë toka të ndara abuzivisht me Ligjin nr. 7501, pasi Komisionet e ngritura pranë prefekturave bënin verifikimet e tyre. Kur vinin re abuzime, hiqnin titullin dhe tokën e kalonin në fondin e pronave.
Pronarët gjithashtu nuk shfaqin interes për kompensimin fizik, pasi, nëse ata e kanë tokën në Elbasan, në Berat apo në Gjirokastër, kompensimi fizik iu bëhet me tokë bujqësore në një tjetër qark.
“Për një pronë në Tiranë pronarëve iu është dhënë kompensim fizik me pronë bujqësore në Gramsh. Kjo është absurde”, – nënvizon Vorpsi.
Institucionet shtetërore nuk japin informacion se sa është fondi i pronës shtetërore, i ndarë në zëra, si: ndërtesa, toka bujqësore, pyje dhe toka të mbrojtura, kullota apo tokë pa frut.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) thotë se regjistrimi i pronës shtetërore bëhet nga Këshillat e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore për pronat e paluajtshme në pronësi/përdorim të tyre dhe nga institucionet e pushtetit qendror për pronat e paluajtshme në përgjegjësi administrimi të tyre.
“Janë këto institucionet përgjegjëse për mbajtjen e listës së inventarit të këtyre pronave, si dhe për përditësimin në vazhdimësi të listës së inventarit pas regjistrimit”, – iu përgjigj ASHK kërkesës për informacion nga INA Medias.
Fatura e Strasburgut
Detyrimi ndaj pronarëve, të cilët kanë fituar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, është 21 milionë euro.
Ecuria e shlyerjes së faturës totale të Strasburgut rezulton tepër e ngadaltë, edhe pse buxhetit po i shtohen kostot nga kamatëvonesat nga mos-shlyerja në kohë.
Ministria e Financave dhe e Ekonomisë në relacionin e projektbuxhetit (ku pasqyron koston potenciale të faturave të Strasburgut), nënvizon se ka respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ, kjo, duke konsideruar faktin se, kur pagesat nuk kryhen brenda afatit 3-mujor, nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatëvonese për çdo ditë vonesë.
Avokatët paralajmërojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet që të shtojë numrin e dosjeve që do t’i drejtohen Strasburgut.
“Disa pronarë janë duke shqyrtuar çështjet në Gjykatën e Apelit Administrativ, ndërsa janë në pritje se si do të reagojë Gjykata e Apelit, do të lërë në fuqi vendimin e ATP-së, sepse Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi ligjin e vitit 2015, apo do të marrë vendim për kompensimin e pronës me vlerën e tregut. Në të kundërt, shumë prej tyre pritet t’i drejtohen sërish Gjykatës së Strasburgut, pas ankimimeve të çështjeve në Gjykatën e Lartë”, – pohon avokatja, Etleva Haka.
Drita jeshile….
Për pronarët e shpronësuar ka ende shpresë për përfitim kompensimi me vlerën e tregut pas marrjes së vendimit të Kushtetueses në muajin shkurt. Për Myrshit Vorpsin, drejtuesin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, në pikën 96 të tij cilësohen antikushtetuese ato që quhen përfitime të zbritshme të pronës së pronarëve shqiptarë, kur zëri kadastral i pronës së njohur nuk ka pësuar ndryshime.
Me vendimin e Kushtetueses pritet që të mos dalin duarbosh edhe pronarët, që kanë vendime përfundimtare për njohje të kthimit fizik dhe kompensim financiar të pronës. Metodologjia përcaktonte se për vlerësimet financiare, si të kompensimit fizik dhe financiar, vlera e tokës llogaritej me çmimet e miratuara me hartën e vlerës së vitit 2016. Për dosjet, kur vlera e pronës së kthyer me kompensim fizik rezultoi se ishte më e madhe se pjesa e mbetur për t’u kompensuar, pronari vlerësohej i shpronësuar. Në këtë rast përfitimi i kompensimit financiar ishte zero. Vetëm në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim rezultonte më e madhe nga sa kishte përfituar fizikisht pronari pas vlerësimit financiar, i njihej e drejta e përfitimit të diferencës. Kjo diferencë, që do të përfitonte, dilte nga zbritja e vlerës së pronës së kthyer dhe asaj të mbetur, që i ishte njohur për kompensim.
Pas vendimit të Kushtetueses për pjesën e mbetur të truallit, tokat e pronarëve, që nuk kanë pësuar ndryshim të zërit kadastral pas vlerësimit, do të përfitojnë kompensimin për vlerën e mbetur./ INA