Sipas raportit të OKB-së, Maqedonia e Veriut do të përballet me një tkurrje të ndjeshme të popullsisë, duke humbur mbi 300 mijë banorë deri në vitin 2050.
Emigrimi, kërkesat për një jetë më të mirë dhe largimi i kuadrove profesionale si mjekë dhe inxhinierë janë disa nga faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë rënie. Profesori Bunjamin Bela thekson se ky trend duhet të alarmojë institucionet vendore për të marrë masa parandaluese dhe për të përmirësuar politikën e zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Shohim se në zhvillimin ekonomik një ndër shkaqet e moszhvillimit është mungesa e fuqisë punëtore, posaçërisht në drejtimet deficitare qoftë ato mjek, inxhinier, mekanik, zanatçinjë të ndryshëm të fushave të ndryshme. Këto nga ana tjetër krijojnë një disbalans në mes të çmimit të shërbimit që i ofrojnë dhe mungesa e tyre ditë e më tepër shihet.
Prandaj, institucionet arsimore, institucionet e politikës sociale në kombinim të bashkërendojnë aktivitetet të kenë një mision ku në qendër ta kenë qytetarin, ta kenë individin, sepse të rinjtë nuk motivohen vetëm përmes premtimeve”, tha Bunjamin Bela, ekonomist.
Sipas të dhënave, gjithë Ballkani Perëndimor do të humbasë rreth tre milionë banorë deri në mes të shekullit, me Maqedoninë e Veriut që pritet të ketë një rënie prej 17.3%.