Grupi i PD-së është mbledhur për herë të parë ditën e sotme për sesionin e ri parlamentar. Në këtë takim ishte e pranishme edhe deputetja Jorida Tabaku. Në përfundim, Bardhi doli dhe njoftoi pikat e aksionit opozitar.
“Do të ketë disa kërkesa për interpelancë, njëra do të jetë për mbetjet e rrezikshme me kryeministrin. Dogjani ka kërkuar interpelancë për rendin dhe sigurinë me ministrin e Brendshëm. Por edhe mekanizma të tjerë kontrolli që do të vihen në zbatim nga grupi ynë parlamentar. Kemi përcaktuar edhe tre çështje; minimumi jetik, rritja e pensioneve, por edhe të gjitha çështjet që do të ndiqen me projektligjet e fjetura në Kuvend.
Opozita ka përgjegjësitë e veta që po i ushtron, shumica ka shkelmuar cdo hapësirë të opozitës dhe detyra jonë është t’i qëndrojmë përballë. Metodat dhe strategjitë tona nuk do i shpallim për televizione që kanë axhendë qeveritare dhe jo të interesit publik. Për Shqipërinë nuk mund të ketë zgjidhje pa zgjedhje të lira” tha ai.