“Kosova e ka të drejtën e patjetërsueshme për të mbrojtë sovranitetin e saj dhe për të siguruar çdo cep të territorit të saj që të jetë nën kontrollin e institucioneve legjitime.
Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm në strategjitë e veprimeve, duke marrë parasysh ndjeshmërinë që ka zona e Veriut të Kosovës”, kështu ka derklaruar në emisionin “Prime” në RTK, Xhavit Gashi, gjeneral në pension.
Ai tha se është shumë i rëndësishëm koordinimi me partnerët strategjik në këto çështje sensitive.
Duke folur për vizitat e rëndësishme nga përfaqësuesit ndërkombëtar të realizuara kohëve të fundit në Kosovë, ai tha se ato përçuan mesazhin e sigurisë, sepse ata e trajtojnë Kosovën si partner të rëndësishëm në regjion.
“Unë besoj se ata ata e trajtojnë Kosovën si partner të rëndësishëm në regjion. Pra ata presin që Kosova jo vetëm të kujdesët për sigurinë e sovranitetin e vet, por të luaj edhe rolin e vet për paqen dhe sigurinë në rajon”, tha ai.