-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Për kapërcimin e ngërçit me Greqinë!

Kryesoret

Zgjedhja e Fredi Belerit si Europarlamentar, lirimi i tij i pritshëm nga burgu dhe sidomos përfundimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore në Himarë më 4 Gusht me mesazhet e tyre përkatëse kanë krijuar premisat jo vetm për kapërcimin e ngërçit 15 mujor, por dhe për një dinamikë të re në marrëdhëniet tona dypalëshe me Greqinë fqinje. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe politika dhe diplomacia jonë ka bërë shumë demarshe dhe kanë marrë pjesë në evente dhe zhvillime të ndryshme në Europë dhe në Tiranë.

Lëvizje pozitive dhe të vlerësuara për imazhin dhe rolin tonë më aktiv. Mirëpo, për shkak të ngërçit në fjalë, nuk ka patur pothuajse asnjë hap, asnjë lëvizje politike dhe diplomatike midis dy vendeve tona, edhe pse” sebepet” nuk kanë munguar. Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë më kështu.

Për fat të mirë, heshtjen duket se e theu me fjalën e tij në Konferencën e Ambasadorëve të Shqipërisë më 26 Gusht në Tiranë, Kryeministri Edi Rama , kur theksoi se marrëdhëniet me Greqinë, Italinë dhe Turqinë janë strategjike dhe nevojën e forcimit të tyre përparësor.

Kjo ka shumë rëndësi sepse bëhet fjalë për marrëdhënie midis dy vendeve fqinje, anëtare të NATOS dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, tani që ne jemi te portat e Brukselit, por të cilat hë për hë i ka mbyllur Athina. Nëse ky ngërç e për pasojë vetoja greke mbi negociatat tona do të vazhdojë, kjo do të jetë me pasoja të mëdha imazhi dhe financiare të cilat llogariten në mbi qindra milionë Euro; që janë aq të nevojshme për ekonominë, pensionistët, fermerët, të rinjtë e të rejat tona.

Gjithsesi lajmi i mirë është se gjendja nuk përshkallëzua e të kalonte në krizë; liderët dhe diplomacitë e të dy vendeve janë përmbajtur nga gjuha ” majë më majë”. Por, gjithsesi ky ngërç nuk është me interes për të dy vendet; as për Greqinë, imazhin dhe synimet e saj për një rol shumë më aktiv në Ballkanin Perendimor; ca më tepër për vendin tonë, shqiptarët në Greqi dhe rrugëtimit tonë europian. Kur dhe Kryeministri Rama ka shpallur përfundimin e negociatave deri më 2030!

Për të qenë realistë, kriza dhe ngërçe të tilla janë dukuri të pashmangshme, veçanërisht midis fqinjëve. Pa shkuar më larg, në vitin 2008 Slovenia e vogël bllokoi Kroacinë për 5 vjet në anëtarësimin në BE për një konflikt territorial. Greqia bllokoi me veton e saj Shkupin për emrin 15 vjet dhe tani sërish me Bullgarinë.

Lajmi tjetër inkurajues është se kriza dhe situata të tilla me Greqinë janë trajtuar dhe zgjidhur mirë dhe shpejt edhe gjatë periudhës së monizmit dhe mbas viteve 90. Dhe jo me slogane dhe as në gjykata, por me një katalog të pasur e të larmishëm hapash, masash dhe lëvizjesh diplomatike, kulturore, artistike dhe njerëzore nga të dyja vendet, të cilat kanë krijuar klimën e duhur dhe i kanë hapur rrugën takimeve në nivelet më të larta politike.

Më konkretisht, rikujtojmë situatën e krijuar në vitin 1967, kur njerëzit tanë gati muarëm pushkët në dorë. Por, mbas saj erdhi një pranverë politike e cila çoi dhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971. E njëjta gjë u vërejt dhe në krizën gjatë vitit 1976-77. Në mars 1978 Enver Hoxha mbajti fjalimin miqësor në Grapsh të Dropullit dhe u promovua libri i tij “ Dy popuj miq” me shumë jehonë në Athinën zyrtare, të cilën pata rastin ta përjetoja gjatë një vizite pune në Athinë.

Natyrisht që ato nuk u zgjidhën me “një të rënë të lapsit” apo me një fjalim, por me shumë demarshe diplomatike, me shkëmbime kulturore të artistëve më të shquar shqiptarë dhe grekë, me mbresa të shkrimtarëve tanë të shquar, duke filluar nga Kadareja i ndjerë, veprimtari sportive dhe në përgjithësi krijimin e një klime pozitive dhe miqësore. Po ashtu, kriza në fund vitin 1984 u zgjidh me hapjen e pikës kufitare në Kakavije në janar 1985, e cila u kthye në një festë të vërtetë popullore.

Më tej, në vitin 1987, qeveria greke e Kryeministrit A. Papandreu shpalli vendimin për heqjen e Ligjit të Luftës, por që nuk u ratifikua në Parlamentin grek. Po atë vit, ish ministri i Jashtëm grek, Carolos Papulias, erdhi në Shqipëri dhe shkoi për gjah me homogun e tij në jug të vendit, me të ndjerin Resi Malile dhe të bisedonin miqësisht në jug të vendit larg medias; hera e parë që shihej diçka e tillë.

Po kështu ndodhi dhe në vitin 1994 mbas masakrës së Peshkëpisë. Vetëm dy vjet më vonë, të dy vendet nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit. Më vonë, dihet mbështetja greke për anëtarësimin tonë në NATO dhe në BE.

Në të gjitha këto raste, falë vullnetit dhe zhdërvjelltësisë politike të udhëheqësive të të dy vendeve, rolit të diplomacisë klasike dhe dimensioneve të saj publike, kulturore, ekonomike dhe njerëzore u krijua një terren dhe mjedis miqësor, çka ishte me ndikim të ndjeshëm në çtendosjen e gjendjes midis dy vendeve tona.
Atëhere, parë nga këndvështrimi realpolitik, çfarë duhet për ta kapërcyer këtë ngërç diplomatik me bashkëpunim dhe mirëbesim nga të dyja palët?

Së pari, është mirë të kihet parasysh aforizma e famshme e Ambasadorit të shquar amerikan, ish zv.Sekretar shteti, Thomas Pickering që ”nëse arkeologjia zbulon të panjohurën, diplomacia mbulon të njohurën”! Me një fjalë, të lihet hë për hë disi mënjanë e shkuara, natyrisht pa lënë në harresë problematikat e saj të njohura, Çështja Beleri t’i lihet deri në fund drejtësisë shqiptare dhe asaj Europiane, ndërsa problemi me Bashkinë e Himarës tani është dosje e mbyllur. Shkurt hesapi, “ t’u vemë kapakun” këtyre çështjeve e të shohim përpara, si dy vende fqinj, miq, aleate në NATO dhe në BE më vonë.

Po ashtu, të vemë në lëvizje diplomacinë tonë, në Tiranë dhe në Athinë por dhe në Bruksel, Strasburg dhe Vjenë. Takimet e Ambasadores sonë në Athinë, të drejtuesve të lartë të MPJ-së kudo të jenë, forumet dhe samitet rajonale dhe europiane janë raste shumë të mira për të shkëmbyer mendime dhe për të matur pulsin dhe afrimet e rastit me qetësi, me “diplomacinë e butë qetësuese”.

Duke bërë ndërkohë dhe një ” inventar” të gjithë problematikave ndërmjet dy vendeve që presin zgjidhje. Pa humbur aspak dinjitetin dhe ndjenjën e sovranitetit, të jemi realistë, ne jemi më shumë nevojtarë, presim çeljen praktike të negociatave, ndaj dhe demarshet më të mëdha duhen bërë nga pala jonë.

Në të tilla raste, duke patur parasysh një fare konsumimi të rolit të MPJ-së dhe të Ambasadës sonë në Athinë, mund të sihej dhe mundësia e caktimit të një Të Dërguari të Posaçëm të Presidentit të Republikës ose Kryeministrit, i cili të ndërmerrte diplomacinë e krizës ose të eceejakeve në Tiranë, Athinë, Bruksel dhe gjetkë.

Kemi fatin se kemi disa ambasadorë të njohur, të cilët kanë drejtuar Ambasadën tonë në Athinë në këto 20 vitet e fundit, madje njeri prej tyre ka dhe gradën “ Ambasador”.

Misioni i tyre do të ishte më i gjerë se kapërcimi i ngërçit të tanishëm, duke kaluar dhe në caktimin e një udhërrëfyesi për trajtimin e të gjitha çështjeve të njohura dhe të mbetura perzull, nga ligji i luftës me rrjedhojat e saj, Marrëveshjen e Detit, pensionet, etj.

Rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka Presidenca e Republikës dhe Kuvendi; sidomos ky i fundit nëpërmjet Grupit Parlamentar të Miqësisë me Greqinë, i cili tani ka rastin më të mirë për të thënë zërin e tij. Këto grupe ndaj ndaj i kemi, jo vetëm për “ditë me diell por dhe me shi”!

Emërimi i Kryetares së re të Kuvendit, zonjës Spiropali, tejet aktive në proceset integruese dhe me jashtë, mbas urimit të homologut të saj grek, përbën moment të volitshëm për të vënë në lëvizje grupet dypalëshe parlamentare të miqësisë dhe deputetë me emër dhe prestigj.

Po aq e rëndësishme është shoqërimi i këtyre demarsheve diplomatike me veprimtari publike, kulturore, artistike, sportive, çelje ekspozitash, etj të cilat evokojnë traditat tona më të mira dhe na rikujtojnë se jemi dy popuj me kulturë dhe tradita të lashta, “të dënuar” të bashkëpunojmë në paqe dhe begati. Dëshmitë më të freskëta të rolit të madh të diplomacisë kulturore ishin Koncerti që dha më 6 Prill këngëtarja e famshme 85 vjeçare greke, Marinela, mbas gati 50 vitesh nga koncertet e saj të para në Shqipëri dhe ai më 24 Gusht në stadiumin “ Selman Stërmasi” po në Tiranë i këngëtarit të mirënjohur grek, Konstantinoss Argiros; me mesazhet e tyre mbresëlënëse dhe vlerësimet e larta për publikun shqiptar dhe se muzika i bashkon popujt.

Në fakt, në këtë fushë disa hapa janë hedhur qysh më parë. Kështu, mbas inaugurimit të bustit të ish Kryeministrit grek në Derviçan dhe lejimi i Belerit për t‘u paraqitur në seancën e parë të Europarlamentit në Strasburg ishte shenjë e vullnetit të mirë të palës sonë, e cila plotësohet dhe me lirimin e tij të parakohshëm; jo vetëm se ka kryer 2/3 e dënimit por dhe meqenëse Eurodeputetët gëzojnë imunitet juridik dhe parlamentar brenda vendeve anëtare të BE-së.

Në këtë drejtim, pavarësisht nga dëshira e mirë dhe formulimi korrekt, nuk janë produktive nisma të tilla si ajo e Rezolutës për ligjin e luftës në Kuvend. Ndonëse e drejtë në parim, por jo në momentin më të mirë. Sepse në diplomaci si dhe në politikë ka një radhë veprimesh, sipas kronologjisë, urgjencës, rëndësisë tematike dhe mundësisë më të mirë për një trajtim dhe zgjidhje të shpejtë. Aktualisht ishte Çështja Beleri, tani vijnë të tjerat. Është Çështja e Detit, të cilën e lamë ne se demek ishte bërë pengesë ish Presidenti, çka rezultoi “gënjeshtër me bisht“.

Të mos harrojmë se kemi ligjin e shumëpritur të pensioneve, me rëndësi jetike për qindra mijra shqiptarë. Natyrisht pa lënë pas dore dhe çështjet e tjera të vështira por që duan më shumë kohë, mund dhe energji. Dhe me radhë të tjerat, por një e nga një, jo “me yrysh dhe jo më me “metodën e aksionit“ siç u bë me naivitet diplomatik disa vite më parë, duke i futur “të gjitha vezët në një shportë“ dhe pa asnjë rezultat. Me përjashtim te propagandës me dërgimin në Hagë të Detit, por që doli “fluskë sapuni“. Ndonëse qysh atëhere në disa shkrime dhe nga autori i këtyre radhëve u paralajmërua se dërgimi i Detit në Hagë nuk është aq i thjeshtë sa duket dhe se do të dilte “bllof“.

Ja pse, në vend të debateve dhe gërvëreve të tjera është më e udhës të zgjidhim bashkë çdo problem me frymë bashkëpunuese dhe mirëbesim reciprok. Është gjëja më e lehtë të sillesh si populistë dhe nacionalistë, duke nxjerrë mllefe, duke shfryrë dufe, duke demonizuar dhe duke i “futur të gjithë në një thes“, me patriotizëm folklorik, nihilizëm dhe mendësi të vjetra moniste. Te merremi me të kaluarën, por me realizëm dhe mbi të gjitha, jo duke bllokuar të tashmen dhe të ardhmen e brezave. Kujdes, kur themi BE, krahas 26 vendeve të tjera, pjesë e saj e rëndësishme është dhe Greqia fqinje.

Në përfundim, le ta theksojmë se kapërcimi i ngërçit me Athinën është përparësi urgjente, me shumë rëndësi për imazhin tonë, perspektivën e anëtarësimit në BE, për bashkëatdhetarët tanë atje, për bashkëpumimin tonë dy dhe shumëpalësh greko-shqiptar me rrjedhoja dhe pasoja të pallogaritshme. Pa shmangur demarshet dhe diskutimet, por duke i trajtuar me frymë europiane, jo me gjuhë të drunjtë, sepse “uthulla e fortë prish enën e vet“, pse jo me lëshime dhe kompromise të ndërsjella, sipas parimit që “ mishi të piqet dhe helli të mos digjet”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit