-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ag Apolloni: Kosova, kjo republikë e ekspertëve

Kryesoret

E lexova një prononcim të një eksperti të arsimit që thoshte: “Njeriu i paarsimuar e lë Kosovën dhe shkon diku tjetër për të gjetur shpresën. Njeriu i arsimuar mirë e merr punën në Kosovë. Njerëzit po dalin nga Kosova edhe si rezultat i arsimimit të dobët”.

S’po ndalem te gramatika e gërditshme e ekspertit, por po shtoj se unë di raste kur njerëz të diplomuar dhe me tituj shkencorë, mjaft të aftë në profesionin e tyre, pasi nuk kanë mundur të gjejnë punë në Kosovë, kanë ikur jashtë, në shtete të tjera, ku tash kryejnë punë që s’janë të profesionit të tyre, madje disa me diploma master punojnë edhe si punëtorë krahu.

T’i ofendosh ata që ikin dhe t’i lavdërosh ata që rrinë, mund të jetë qasje e mirë për t’iu vardisur pushtetit, por është gënjeshtër e ulët.

Eksperti duhet ta dijë që Kosova është edhe e atyre që, për arsye të ndryshme, hyjnë tek ajo kategoria që ai e quan “të paarsimuar”. Shteti nuk është klasë që ti t’u thuash njerëzve: ti s’paske mësu’, dil jashtë (n’Gjermani)!

Si i arsimuari, si i paarsimuari, kanë të drejtë të punësohen në Kosovë. Por, si i arsimuari, ashtu edhe i paarsimuari, kanë ikur dhe po ikin me të madhe.

Kosova nuk është universitet, por shtet që duhet t’u ofrojë punë të gjithë qytetarëve të vet. Janë pikërisht “ekspertët e arsimit” që e kanë shkatërruar arsimin, dhe tani i fajësojnë “të paarsimuarit”, që janë viktima të eksperimenteve të tyre.

Kam qenë në shumë vende të Evropës dhe kam takuar shqiptarë të arsimuar dhe që punojnë punë jashtë profesionit të tyre, ndërkohë që ëndërrojnë të kthehen dhe të punojnë në Kosovë.

Nuk e di se si ndihen ata kur lexojnë apo dëgjojnë prononcime të tilla ekspertësh. Budallenjtë jashtë, të mençmit brenda!, ky është nënteksti i atij prononcimi prej eksperti. Sipas tij, shteti ynë ideal nuk paska vend për ata që s’janë arsimuar mirë.

Në vend se të ulemi e të diskutojmë me shqetësim se si ta konsolidojmë shtetin, si ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm, dalim e hapareshemi nëpër televizione, duke i quajtur të paedukuar ata që po ikin. Po harrojmë që ata janë vëllezërit tanë dhe motrat tona.

Për ta përmirësuar shtetin, duhet ta kritikojmë pushtetin, jo ta shajmë atë të shkretën a të shkretin, që në pamundësi për të gjetur veten këtu, lë shokë, shoqe, familje e shtëpi, dhe merr botën me lot në sy.

Ka 25 vjet që mendoj se në Kosovë, pas titullit ‘ekspert për arsim’ qëndron një sharlatan trim.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit