A do të mundet udhëtimi supersonik për pasagjerët të bëhet sërish një realitet i përditshëm? Një aeroplan për udhëtimin e pasagjerëve i kompanisë amerikane Boom Supersonic mund të arrijë një ditë të zëvendësojë aeroplanin supersonik Concorde, që u tërhoq nga tregu.
Aeroplani Concorde bëri fluturimin e tij të fundit në nëntor 2003. Ky avion për udhëtimin e pasagjerëve ishte një revolucion për aviacionin, duke e përshkuar distancën mes dy anëve të Atlantikut me shpejtësi dy herë më të madhe se shpejtësia e zërit dhe duke e përgjysmuar kohën e udhëtimit krahasuar me avionët e tjerë të linjave ajrore.
Por, për shkak të kërkesës së ulët, çmimeve të larta të biletave dhe një aksidenti në vitin 2000, avioni u nxor nga përdorimi nga dy kompanitë ajrore Air France dhe British Airways.
Tashmë pas gati dy dekadash nga fluturimi i fundit i avionit Concorde, firma amerikane Boom Supersonic thotë se ka ardhur koha për të rikthyer udhëtimin ajror supersonik. Me avionin e tyre “Overture”, kompania synon të arrijë shpejtësi prej 1.7 Mach, me deri në 80 pasagjerë në bord dhe distanca mbi 6800 kilometra.
“Avioni Concorde ishte vërtet arritje për vitet 1960, madje shumë i avancuar për atë kohë. Por problemi i madh ishte çmimi i shtrenjtë i udhëtimit. 20 mijë dollarë për një biletë nuk është një çmim i arsyeshëm. Por 60 vite më vonë, ne tashmë kemi materiale më të mira, aerodinamikë më të mirë, motorë më efikasë; të gjitha pjesët elektronike janë bërë më të lehta dhe më të mira. Kështu që mund të ndërtojmë një avion supersonik të gjeneratës së re që është me kosto më të arsyeshme dhe që mund të bëjë më shumë fluturime”, thotë Blake Scholl, drejtor ekzekutiv në kompaninë “Boom Supersonic”.
Në Panairin Ndërkombëtar të Aviacionit 2024, kompania paraqiti kabinën e re për pilotët, si dhe njoftoi përparim në lidhje me motorin supersonik për avionin e ri “Overture”. Ndër opsionet e reja është realiteti i shtuar, që u ofron pilotëve fushëpamje të plotë, pa patur nevojë për uljen e majës së avionit, siç veprohej me avionin Concorde. Ka gjithashtu ekranë të mëdhenj me prekje dhe paisje më të thjeshta kontrolli.
“Kemi arritur progres për motorin supersonik, të quajtur ‘Symphony’. Po bëjmë provat për motorin dhe synojmë të fillojmë prodhimin e gjerë pas 18 muajsh. Kemi marrë që tani porosi për blerje të avionit ‘Overture’, nga kompani si United Airlines, American Airlines, Japan Airlines. Kur bisedojmë me pasagjerët, nga të gjithë dëgjojmë se dëshirojnë fluturime më të shpejta. Pra avionët supersonikë do të jenë thelbësorë për të gjitha linjat ajrore”, thotë zoti Scholl.
Analisti i aviacionit, Paul Beaver udhëtoi me avionin Concorde në vitin 2000 dhe është optimist për të ardhmen e një avioni të ri supersonik për udhëtimin e pasagjerëve. Ai thotë se do të jetë ndër të parët që do të provojë këtë lloj fluturimi, por se gjithçka do të varet nga ekonomia dhe se sa tërheqës për tregun do të jetë ky lloj udhëtimi.
“E kuptoj se pati shumë njerëz që donin të fluturonin me avionin Concorde, nga Londra për në Nju Jork, pasi aty gjendet paraja. Janë njerëz që e vlerësojnë kohën e tyre dhe janë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha. Janë po ata që blejnë avionë privatë Gulfstream dhe që mund të duan të udhëtojnë me avionin supersonik, pasi koha për ta është para. Pra është një treg disi i veçantë dhe do të jetë interesante të shohim nëse kompania Boom dhe avioni Overture do t’ia dalin në këtë treg”, thotë zoti Beaver.
Projekti për avionin supersonik ‘Overture’ u paraqit gjatë panairit Ndërkombëtar të aviacionit në Farnborough, të Anglisë dhe ishte i disponueshëm për vizitorët gjatë periudhës 22-26 korrik. Kompania synon që ky avion të futet në përdorim deri në vitin 2029./ VOA