Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po përdor Korporatën e Investimeve Shqiptare (KIESH) si një maskë për abuzime me pronat publike.
Sipas saj, “Korporata e Investimeve nuk është gjë tjetër veçse një institucion që ekziston për të pasuruar një pakicë të lidhur me pushtetin,” shkruan Tabaku në një postim në Facebook.
Ajo thekson se “Këshilli Bashkiak i Tiranës do të vendosë, në mënyrë të nxituar dhe pa konsultim publik, që t’i japë Korporatës së Investimeve dy sipërfaqe të mëdha, të cilat shërbejnë si terrene sportive,” përfshirë Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Tabaku akuzon se këto prona janë lënë në harresë nga Bashkia për të justifikuar ndërtimin e kullave shumëkatëshe.
Ajo e kritikon qeverinë për “mungesë transparence dhe përgjegjshmërie ndaj publikut,” duke e cilësuar Korporatën e Investimeve si një “produkt të një ligji të debatuar dhe të miratuar për të shërbyer interesat e pakicës.”
Tabaku nënvizon se “Shumë pyetje të tjera mund të kishin lindur,” përfshirë mënyrën e qeverisjes dhe menaxhimit të pronave publike.









