Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se në komunat veriore janë duke u bërë investime që nuk janë bërë tash e dy dekada e sipas tij po shtohen shërbimet që u kanë munguar qytetarëve.
“Vizitat tona, të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për t’i kuptuar nevojat që kanë qytetarët.
Për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po bëjmë këto vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë qe dy dekada, po shtohen shërbimet që i kanë munguar qytetarëve”, ka thënë ai.
Duke folur për mbylljen e objekteve ku ushtronin veprimtarinë strukturat paralele, kryeministri ka thënë se Qeveria nuk po mbyll zyrë në veri, por përkundrazi po i shton.