…dhe pse duhet ta kërkojë opsionin e tretë
1.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, doli dje në një konferencë shtypi për ta treguar pakënaqësinë me zhvillimet në Kosovë dhe për të paralajmëruar se do të shpallë përgjigjet e Serbisë ndaj këtyre zhvillimeve brenda 72 orësh. Nuk do të ndalem në spekulim se çka e shtyu presidentin Vuçiq të reagonte në këtë mënyrë e as çka do të lajmëronte si masa pas 72 orësh. Ai la për të kuptuar se hidhërimi i tij është me masat që autoritetet e Kosovës po ndërmarrin për vendosjen e rendit ligjor në pjesën veriore të vendit, masa që gradualisht po i largojnë institucionet “paralele”, gjegjësisht institucionet e zgjatuara të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Dhe paralajmëroi masa të qarta e të ashpra, sepse “ne jemi të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe rezultatet e dialogut dhe marrëveshjet që janë nënshkruar, si ajo e Brukselit të vitit 2013, dhe aranzhimi i Bashkimit të Komunave Serbe në vitin 2015”, tha ai.
Këto i tha pas takimit me të dërguarin evropian M.Lajçak e ambasadorin amerikan Hill dhe sado kundërthënëse të tingëllojë në dukje të parë, mendoj se presidenti Vuçiq ka të drejtë. Dy njerëzit me të cilët është takuar – çdonjëri në formë të veten – kanë legjitimuar pozicionin e presidentit të Serbisë karshi Kosovës. Zoti Lajçak ka në duar një vit e gjysmë Marrëveshjen bazike për të cilën kryeministri i Kosovës është deklaruar se do ta përkrahë – ndonëse është një marrëveshje kompromisi ende larg dëshirave të Kosovës – ndërsa presidenti i Serbisë me sinqeritet të plotë është deklaruar se nuk do ta pranojë në tërësi e nuk do të zbatojë pjesët që i konsideron se cenojnë interesat e Serbisë. Megjithëkëtë , Lajçaku thotë se të dy palët janë përgjegjëse për moszbatim.
Zoti Hill ka mandat, të ekspozuar në paraqitjen e tij para Komisionit përkatës të Senatit amerikan, ta largojë Serbinë nga Rusia. Çfarëdo diplomati me pak përvojë – e Hill ka përvojë me tepri – do të kuptojë se procesi lehtësues i BE-së ka mungesë të thellë serioziteti. E në të SHBA-ja ka qenë vëzhguese e përkrahëse me jo ndonjë kontribut për të mbajtur mend. Përderisa z.Hill mendon se Serbia po largohet nga Rusia – apo dëshiron që ky mendim të jetë i vërtetë – ligjërimi i ambasadorit amerikan në Beograd është që të përkrahë Serbinë rreth Kosovës deri në momentin kur cenohet siguria e ushtarëve të KFOR-it, i pranisë ndërkombëtare dhe i sigurisë regjionale.
2.
Pra, presidenti Vuçiq ka të drejtë të veprojë siç bën, përderisa këtë mund ta bëjë pa pengesë.
BE-ja nuk është serioze. Nuk është serioze në momentin kur zoti Vuçiq e sfidon (si për shembull me Marrëveshjen e Ohrit) dhe BE-ja paloset para tij. Nuk është serioze as kur i premton e as kur e kërcënon me integrimin në BE. Edhe kur i thuhet se Serbia është në prag të anëtarësimit , edhe kur i thuhet se nuk do të anëtarësohet derisa ta zgjidhë çështjen e Kosovës. Presidenti serb e ka kuptuar BE-në në rolin e saj të bankomatit nga i cili mund të nxjerrësh pa ndonjë kusht të veçantë; BE-ja ka pranuar heshtazi që aktualisht të lozë rolin e bankomatit dhe jo shumë gjë tjetër.
Dhe, në kundrimin e tij , ka të drejtë të sfidojë kufijtë e durimit amerikan. Gjatë dhjetë vjetëve presidenti Vuçiq e ka shndërruar veten në pikën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ky regjion mund të mbahet në status quonë e tanishme të stabilitetit falë marrëveshjes me të apo mund të destabilizohet në mungesë të marrëveshjes me të. SHBA-ja mund ta konsiderojë Kinën tashmë jo vetëm kompetitor, por edhe kundërshtar strategjik, por presidenti kinez është i mirëseardhur në Beograd, dhe Amerika duhet të pajtohet me këtë nëse do të mbajë status quonë; kjo është sfida e Vuçiqit ndaj ambasadorit Hill.
Gjatë këtij çerekshekulli kufiri mes Kosovës dhe Serbisë shënonte vijën ndarëse mes ndikimit gjeostrategjik të botës euroatlantike dhe Rusisë. Në çerekshekullin e ardhshëm mund të jetë vija ndarëse e një lufte të re të ftohtë mes Perëndimit dhe Kinës.
3.
Problemi i Serbisë megjithatë është se kjo gjendje, ku Serbia bëhet çelësi i status quosë – ku gjërat janë të qeta gjithandej Ballkanit Perëndimor nëse këtë e dëshiron Beogradi apo se ku ka destabilizim të kontrolluar nëse këtë e dëshiron Beogradi (rrëzim regjimi në Mal të Zi, kërcënime rituale, zhbërje të BeH, ndërhyrje paramilitare në Kosovë) -nuk mund të mbahet si konstante. E posaçërisht jo duke balancuar mes SHBA-së, BE-së, Rusisë, Kinës e BRICS-it.
Presidenti Vuçiq mbase tregoi simbolikisht kufizimet manovruese të kësaj politike, kur në konferencën e djeshme të shtypit tha se “pa marrë parasysh se sa duart tuaja janë të lidhura dhe sado e vështirë të jeni në pozitë që nga viti 2008, madje edhe para kësaj – duhet të ndërmerrni veprime që do të çojnë në kthimin e disa të drejtave, që quhet status quo ante ose të thuash se nuk je në gjendje të mbrosh dhe të ruash popullin tënd. Dhe pala serbe nuk ka të drejtë për këtë të fundit”.
Që të dy opsionet janë të së kaluarës dhe se cila është më e keqe se tjetra, posaçërisht për popullin serb. Kthimi në status quo ante do të thotë rivendosje të strukturave paralele në Kosovë. Kjo do t’i sillte qytetarët serbë të Kosovës në pozicion të zgjatimit të institucioneve të Serbisë në Kosovë duke i futur në hapësirë paligjshmërie dhe konfrontimi me kushtetutshmërinë e Kosovës dhe popullin shumicë.
Opsioni “mbrojtja dhe ruajtja” e qytetarëve serbë të Kosovës nga ana e Serbisë është relikt i viteve nëntëdhjetë. Luftërat në Kroaci dhe BeH u filluan për të “mbrojtur dhe ruajtur” serbët e atyre shteteve dhe sollën fatkeqësi për të gjithë, përfshirë serbët. Apo, siç u tregua në Kroaci, në radhë të parë serbët.
Në programet e mëngjesit të televizioneve kombëtare në Serbi çdo të dytën ditë dalin njerëzit e favorizuar nga pushteti i sotëm e megjithatë tërheqin vërejtjen se aty ku Serbia u vu në mbrojtje të serbëve në viset e ish-Jugosllavisë ka më pak serbë se ç’kishte para se Serbia të angazhohej për mbrojtje të tyre.
4.
Dhe, përderisa presidenti Vuçiq ka pasur të drejtë në leximin e blofeve të deritanishme të Perëndimit karshi pozicionit të tij, Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, kjo nuk do të thotë se ka të drejtë të kërkojë zgjidhje nga e kaluara.
Në Kosovë nuk do të ketë kthim në status quo ante; funksionimi i strukturave paralele është dashur të pushonte më 1999 me Rezolutën 1244 të OKB-së, pastaj më 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, pastaj me çdo marrëveshje të arritur në Bruksel. Rruga që do ndjekur është vetëqeverisja lokale brenda sistemit kushtetues të Kosovës. Në të serbët e Zveçanit kanë më shumë ingerenca pushteti komunal sesa serbët e Zajeçarit. Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut ka më shumë pushtet se sa ai i Kragujevcit.
Dhe, në Kosovë nuk do të ketë hapësirë për shndërrimin e Serbisë në kujdestar sigurie për qytetarët serbë të Kosovës. Kjo është provuar në Kroaci (e vjet një miniprovë në Banjskë) dhe rezultatet qenë katastrofale.
Në fakt, që të dyja opsionet janë provuar dhe kanë rezultuar me më pak mirëqenie për serbët, ngado që janë.
Mbase është koha të provohet opsioni i tretë, ai i sigurimit të të drejtave legjitime të qytetarëve serbë në marrëveshje me shumicën shqiptare, gjegjësisht institucionet e Kosovës, brenda sistemit kushtetues-juridik të Kosovës me mundësi të avancimit të mëtejmë legal të tyre. Ky do të ishte hapi që çon përtej status quosë në një gjendje deri tani të papërjetuar sigurie për të gjithë./ KOHA