Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi paradite në Kuvend duke e akuzuar për shpifje. Demokrati bëri insinuata për emërimin e tij në detyrë nga grupet kriminale. Bardhi lexoi edhe disa mesazhe që sipas tij ishin përgjimet e SKY lidhur me bandat që kërkonin emërimin e Sulajt në Shkodër. Emërimi im, shprehet më tej ai, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësus i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.
Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal” tha ai.
Hoxha i kthen përgjigje Bardhit: Të pavërteta, Edmond Sulaj është me gradën drejtuesi i parë