Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas mesazhit të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili u kritikua për një deklaratë ofenduese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar të papranueshme këtë gjuhë dhe ka kërkuar llogaridhënie nga ministri.
Reagimi i plotë:
Fyerja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si “idiotë”, nuk mund të jetë kurrë një çështje e tejkaluar, pa mbajtur përgjegjësi politike. Ky cilësim nga ministri përgjegjës për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, vjen në një kohë ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me shumë sfida dhe përbën një shkelje të rëndë të detyrimeve kushtetuese që kanë autoritetet shqiptare në Republikën e Shqipërisë, ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufirit shtetërorë.
Mungesa e reflektimit nga ana e Ministrit Ferit Hoxha, nuk mund të kalohet me takime të stisura, ku mysafirët as nuk lejohen të përgjigjen lirisht. Fillimisht gënjeu që sms ishte e fabrikuar, më pas u detyrua të fshinte, më pas të dilte nga grupi në Whatsapp, dhe sot kishte stisur një takim për të bindur shqiptarët se është një çështje e tejkaluar. Të gjitha këto veprime konfirmojnë se është duke vepruar nën panik dhe nën peshën e përgjegjësisë së munguar.
Akoma më shqetësuese është heshtja e Kryeministrit Edi Rama, duke provuar se cilësimi i Ministrit Ferit Hoxha ndaj shqiptarëve nuk është personal, por linjë shtetërore e qeverisë së Edi Ramës. Kjo është më shumë se e papranueshme.
Ministri Ferit Hoxha do të thirret në Kuvend për të dhënë llogari mbi qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve përtej kufirit, që përkon te jetë i njëjtë me qëndrimin e Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç ndaj shqiptarëve. Në krye të Ministrisë për Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nuk mund të qëndrojë asnjë minut as Nikolla Pashiqi dhe as Vasa Çubrilloviçi, pavarësisht se në publik prezantohet si Ferit Hoxha apo Edi Rama!









