Një kompleks turistik në fshatin Banjskë, ku veç tjerash mysafirët shkonin për ujërat shëruese termale, u bë një pikë e rëndësishme provash lidhur me sulmin e armatosur që ndodhi në po këtë fshat në shtator të vitit 2023.
Radio Evropa e Lirë ka siguruar aktakuzën voluminoze ndaj 45 personave lidhur me sulmin e armatosur në veri të Kosovës. Në këtë dokument përfshihen edhe dëshmi të punëtorëve të hotelit në Banjskë, mysafirëve të hotelit dhe të afërmve të personave të akuzuar.
Personi kryesues i grupit të armatosur, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës është Millan Radojiçiq, ish-politikan serb i Kosovës, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin, kur u vra polici, Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Nga 45 të akuzuarit, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
I akuzuari Maksimoviq, nga Prokuroria Speciale e Kosovës identifikohet si punëtor i kompleksit “Rajska Banja”.
Ndërkaq, mysafirë e punëtorë të tjerë të kompleksit janë në mesin e 29 dëshmitarëve të Prokurorisë për këtë sulm.
Sipas dëshmive në aktakuzën e Prokurorisë, gjatë disa orëve të sulmit në natën e 24 shtatorit, hoteli ishte edhe vendstrehim i disa prej personave të armatosur e të uniformuar që ishin pjesë e sulmit.
Në dhjetor të vitit 2023, autoritetet e Kosovës e morën nën kontroll kompleksin e “Rajska Banjës” pasi sipas Agjencisë Kosovare e Privatizimit (AKP) ajo është pronë shoqërore.
Më herët, kompleksi menaxhohej nga serbët e veriut, ndërsa Serbia përmes Zyrës së saj për Kosovën kishte dhënë mjete për rinovimin e tij.
Në këtë kompleks, pas sulmit të 24 shtatorit, ishin konfiskuar armë dhe arrestuar dy persona për armëmbajtje pa leje.
Të bllokuar në hotel në mes të shpërthimeve
Me bashkëshorten, djalin e mitur dhe disa familjarë të tjerë, G.T., një burrë nga Maqedonia e Veriut ishte mysafir i “Rajska Banjës” në mesin e 23 dhe 24 shtatorit të vitit 2023.
Në dëshminë e tij, që është pjesë e aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës, ai i ka përshkruar orët e hershme të 24 shtatorit, kur kishte nisur sulmi. Ai ka deklaruar se rreth orës 03:30, “kishin dëgjuar shpërthime dhe të shtëna nga të gjitha anët, duke i zgjuar nga gjumi”.
Sipas dëshmisë, ai kishte pritur që të shtënat të pushonin, por ato nuk ishin ndalur deri në agim, derisa ndërkohë G.T. ka dështuar se kishte parë njerëz të armatosur dhe të uniformuar.
Më pas, sipas dëshmisë së dhënë, një person me uniformë kishte hyrë në hotel dhe iu kishte thënë të gjithëve që të largoheshin, por më vonë kishte ndërruar mendje.
“I njëjti person që kishte armë me tytë të gjatë, tani i kishte urdhëruar duke iu bërtitur në gjuhën serbe që të ktheheshin në dhomat e tyre dhe të mos dilnin nga to”, përshkruhet dëshmia e G.T. në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në pyetjen e Prokurorisë se sa persona i kishte parë më uniformë, dëshmitari ka deklaruar se kishte parë “një nën dritare, një para derës dhe dy kishin vrapuar shkallëve”.
“Ai nën dritare shihej duke bërë fole rreth tij me kutia municionesh, bombë dhe shihej qartë se i njëjti po bëhej gati për luftim”, thuhet në dëshminë, që është pjesë e aktakuzës.
Dëshmia e babait të njërit nga të akuzuarit: “Ejani më merrni te hoteli”
Gjatë ditës së 24 shtatorit, kur sulmit në Banjskë ishte drejt përfundimit, V.I. babai i një prej të akuzuarve, pranoi një telefonatë nga i biri, Vlladan Iliq.
Babait, që në atë kohë po qëndronte në Mitrovicë të Veriut – rreth 20 minuta me makinë larg Banjskës – i biri i kërkoi që ta merrte nga hoteli në fshatin Banjskë.
Sipas dëshmisë së tij, V.I. kishte tentuar të shkonte në Banjskë, por ishte njoftuar nga taksistët se rruga për atje ishte bllokuar nga Policia e Kosovës.
V.I. më pas kishte telefonuar një person që punon në recepsionin e hotelit në Banjskë. Ai ka dëshmuar se i ishte lajmëruar një burrë, të cilin e kishte pyetur nëse i biri i tij, ishte në hotel.
“Punëtori i ka thënë se djalin e tij do ta evidentojnë si punëtor të hotelit, për ta maskuar që të mos arrestohet nga policia”, ka dëshmuar V.I., sipas aktakuzës.
Ai ka deklaruar se më vonë e ka lajmëruar i biri i tij dhe i ka thënë se ndodhet në Serbi.
Sipas dëshmisë së V.I., ai ishte indinjuar që djali i tij u gjend në këtë situatë, ndonëse e dinte se i biri ishte pjesë e organizatës “Mbrojtja Civile”.
Kjo organizatë ishte shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës në qershor të vitit 2023, disa muaj para sulmit të armatosur në Banjskë.
V.I., sipas dëshmisë, ishte takuar me të birin e tij në Rashkë të Serbisë në tetor të vitit 2023 dhe edhe një herë pesë muaj më pas “me rastin e lindjes së vajzës së tij në Kragujevc të Serbisë, ku ka qëndruar një natë tek ai”.
Për Vlladan Illiq, njëjtë si për të pandehurit e tjerë, autoritetet e Kosovës kanë lëshuar fletarrestim vendor dhe ndërkombëtar.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Dëshmitë e punëtorëve të “Rajska Banjës”
R.N. po punonte në hotel më 24 shtator kur po ashtu ka dëshmuar se kishte nisur të dëgjonte krisma armësh “rreth orës 02:45 deri rreth orës 10:00-10:30”.
Në dëshminë e tij në Prokurori, ai ka deklaruar se ka dalë nga hoteli rreth 50 herë për të shikuar edhe pse mysafirët e hotelit ia kishin tërhequr vërejtjen që të hynte brenda.
“Porse, ka qenë i sigurt se nuk do të shtien me armë në drejtim të hotelit”, ka dëshmuar ai, sipas aktakuzës.
Punëtori i hotelit në Banjskë ka deklaruar po ashtu se derisa kishte qenë në recepsion rreth orës 16:30, aty kanë hyrë katër persona të armatosur, tre nga të cilët po bartnin një person “të plagosur dhe me lëndime të mëdha”.
Në Prokurori, ky dëshmitar ishte pyetur edhe në lidhje me një veturë me armatim që ishte gjetur më vonë në bodrum të hotelit.
“Mbetjet e Banjskës”- Çfarë dihet për armatimin e fundit të konfiskuar në veri?
Ai ka deklaruar se nuk e dinte se kush e kishte sjellë veturën, mirëpo ajo kishte qëndruar aty për dy-tri ditë derisa është gjetur nga policia.
Sipas bisedës, që ai ka deklaruar se kishte pasur me drejtorin e kompleksit, dëshmitarit i ishte thënë se “veturën e kanë sjellë persona të armatosur dhe të uniformuar, të cilët, sipas tij, nuk i njeh dhe nuk kishte guxuar askush t’i pyesë se kush janë”.
Dëshmitarja D.A., një tjetër punëtore në këtë kompleks, ka deklaruar se në ditën e sulmit nuk ishte në punë në hotel, mirëpo të shtënat i kishte dëgjuar nga banesa e saj, që gjendet në afërsi.
“Kur kanë filluar të shtënat, kanë dal në korridor të banesës dhe së bashku me familjen jemi shtrirë në dysheme”, ka dëshmuar ajo në Prokurori.
Një ditë pas sulmit, ajo ka treguar se ka shkuar në hotel për të punuar, kur kishte takuar rojën dhe mysafirët e hotelit, të cilit kishin qenë kryesisht njerëz të moshuar.
“Por, ka pasur edhe gra e fëmijë, të cilët kanë qenë nga Maqedonia [e Veriut] dhe Serbia”, ka dëshmuar ajo.
Ajo gjithashtu ka shtuar se një ditë pas sulmit, në hotel “nuk ka parë persona të armatosur, të plagosur e as të dyshimtë apo të panjohur”.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Në aktakuzë, Millan Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”, i cili bashkë me pjesëmarrësit tjerë, më 24 shtator, 2023, në orën 01:00, pasi që kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë dhe pastaj janë fshehur, kanë sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët kanë shkuar për t’i hequr kamionët dhe për të liruar rrugën.
Me këtë rast është vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku, është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti, dhe janë lënduar zyrtarët tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.
Ky sulm, sipas aktakuzës, ka vazhduar deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e këtij grupi është arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë”.
Pas njoftimit për ngritjen e kësaj aktakuze, Radio Televizioni i Serbisë citoi kryeprokurorin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, të ketë thënë se “nga pikëpamja e rendit juridik të Republikës së Serbisë, aktakuza e ‘institucioneve të përkohshme në Prishtinë’ kundër Millan Radoiçiqit dhe të tjerëve nuk ka asnjë rëndësi”./REL