-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

FBI nis hetimet: Trump ‘duket se ishte objekt i një përpjekjeje për atentat’ në Florida

Kryesoret

FBI tha se Donald Trump “duket se ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës të dielën, vetëm nëntë javë pasi kandidati republikan për president i mbijetoi një tjetër atentati ndaj tij. Ish-presidenti tha se është mirë dhe jashtë rrezikut.

Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw tha se agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së qëlluan në drejtim të një personi që kishte drejtuar një pushkë të stilit AK drejt klubit, ndërsa zoti Trump ishte duke luajtur golf.

Zoti Bradshaw tha se personi i armatosur kishte gjithashtu dy çanta shpine të varura në një gardh dhe një kamerë GoPro dhe se ai ishte rreth deri në 500 metra larg nga zoti Trump dhe i fshehur mes shkurreve, ndërsa ish-presidenti luante golf. Personi hodhi armën dhe iku me një fuoristradë dhe më pas u arrestua në një distrikt aty pranë.

Disa media amerikane e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Havai, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të organeve të zbatimit të ligjit.

Zyrtarët që identifikuan të dyshuarin folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin hetimin aktiv. FBI nuk pranoi të komentonte mbi identitetin e të dyshuarit dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Incidenti është zhvillimi i fundit tronditës në një vit fushate të shoqëruar me ngjarje të pashmebullta dhe ndodh pothuajse dy muaj pasi zoti Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani dhe një plumb e plagosi në vesh.

Vetëm një javë më pas presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara.

Në një email drejtuar mbështetësve të tij, zoti Trump tha: “Pati të shtëna armësh pranë (meje), por përpara se spekulimet ta dalin jashtë kontrollit, doja që të isha i pari që t’ju thoja: JAM I SIGURT DHE NË GJENDJE TË MIRË! Asgjë nuk do të më ngadalësojë. Nuk do të dorëzohem kurrë!” tha ish-presidenti.

Agjentët ishin pak përpara ish-Presidentit kur vunë re personin me armë zjarri, tha zoti Bradshaw. Agjentët dhe oficerët e Shërbimit Sekret me karroca golfi, si pjesë e masave të mbrojtjes, sigurojnë zonën para dhe pas ish-Presidentit Trump kur ai luan golf. Agjentët gjithashtu zakonisht sjellin një automjet të blinduar aty pranë, për ta strehuar me shpejtësi nëse shfaqet një kërcënim.

Ish-Presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah.

Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente, ishin informuar për ngjarjen dhe do të vazhdojnë të marrin informacion për hetimin.

Shtëpia e Bardhë shtoi se ata ishin “të lehtësuar” që zoti Trump ishte jashtë rrezikut. Kandidatja demokrate për Presidente Harris, në një deklaratë tha se është “e kënaqur” që zoti Trump është mirë, duke shtuar se “dhuna nuk ka vend në Amerikë”.

Në një postim në platformën X, senatori republikan Lindsey Graham, një nga aleatët kryesorë të Kongresit të Trump, tha se kishte folur me ish-Presidentin Trump pas incidentit dhe se ai ishte “në humor të mirë” dhe e karakterizoi si “një nga njerëzit më të fortë që kam njohur ndonjëherë”.

Sherifi i qarkut Martin, William D. Snyder, tha se i dyshuari u kap brenda disa minutave pasi FBI, Shërbimi Sekret dhe Zyra e Sherifit të Qarkut Palm Beach lëshuan një mesazh urgjent për të kërkuar për një automjet specifik, numrin e targës dhe përshkrimin e personavre brenda tij. Zoti Snyder tha se “një nga njësitë e patrullës rrugore e pikasi automjetin, kontrolloi targën dhe me ndoqëm makinën”.

“E arritëm makinën, e ndaluam në mënyrë të sigurtë dhe e vendosëm shoferin në paraburgim.” Snyder tha se i dyshuari “nuk ishte i armatosur kur e nxorëm nga makina”.

Ai shtoi se personi kishte një sjellje të qetë, pa reagime dhe shfaqi pak emocione kur u ndalua nga policia, duke thënë se i dyshuari nuk pyeti se pse ishte ndaluar.

“Ai në asnjë moment nuk pyeti, ‘për çfarë bëhet fjalë?’”.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland është informuar për situatën dhe po merr përditësime të rregullta në lidhje me të, tha një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë.

Ish-presidenti ishte planifikuar t’i kthehej fushatës, duke shkuar të martën në Flint të shtetit Miçigan dhe më pas të mërkurën në një tubim fushate në Nju Jork të mërkurën.

Në fund të javës, ai është planifikuar të marrë pjesë dhe të flasë në Takimin Kombëtar të Nivelit të Lartë të Këshillit Izraelito-Amerikan në Uashington, DC dhe të shtunën të mbajë një tubim në Uilmington të Karolinës së Veriut./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit