Katër persona janë arrestuar në Fushë Krujë, mes tyre pronari i një argjendarie, pas një vjedhjeje të rëndë në një banesë, ku u grabitën sende me vlerë rreth 15,000 euro.
Operacioni i koduar “Falco” u zhvillua nga Komisariati Nr. 6 dhe Policia e Krujës, duke rezultuar në sekuestrimin e sendëve të vjedhura, automjetit dhe veshjeve që autorët kishin përdorur gjatë krimit.
Sipas hetimeve, më 13 shtator 2024, shtetasi L. B. hyri në banesë duke vjedhur çanta të shtrenjta dhe aksesorë, ndërsa D. B. e mbante nën mbikëqyrje. Më pas, E. X. i mori ata me automjet.
Pronari i argjendarisë, F. C., 34 vjeç, dyshohet se ka blerë sendet e vjedhura. Të gjithë të arrestuarit po përballen me akuza të rënda, ndërsa policia vazhdon hetimet për të zbuluar më shumë detaje rreth kësaj veprimtarie kriminale.