-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Nga brezi i vjetër nuk ka mbetur asnjë për të dëshmuar se e majta ka një fillesë

Kryesoret

Shqiptari, për vetë natyrën e tij, e ka më të lehtë të ndjehet si një individ, se sa një shtetas, dhe percepton më lehtë ndijimet konkrete se sa përjetimet abstrakte.

Ndoshta kjo e ka bërë atë që të nënshtrohet më lehtë ndaj rolin të Njëshit, drejtuesit, liderit, të parit, kryetarit,  i zgjedhur qoftë apo i emëruar.

Asambleja e socialistëve dëshmoi pikërisht këtë. Autokracinë politike të shefit të partisë, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, bindjen deri në heshtjen e sikleteshme të asaj pjese që mund të quhet, të paktën teorikisht, si esenca drejtuese e forcës politike qeverisëse. Hendeku mes tyre, ashtu si për shfaqja e forcës përmes tyre, ka krijuar, edhe pse të vënë re prej kohe, gjendjen entuziaste, që, edhe pse nuk mund të shpjegohet dot, fsheh në vete vazhdimin e pushtetit, por , në të njëjtën kohë edhe humbjen reale të forcës politike, si masë organizative, përballë diktatit të shefit të partisë, që është edhe shefi i qeverisë.

E majta në pushtet po bën 12 vite dhe mund të jetë , e të gjitha prognozat thonë se do të ndodhë kështu, edhe në katër vitet e tjera. Të paktën edhe katër vite. Pushteti është joshje, për shumë vetë që janë pjesë e tij është bekim, forcë, pasuri, por edhe heshtje, bjerrje karakteri dhe pa siguri.

Edi Rama, duke mos e pasur në vete nocionin e së majtës, me të cilën është tallur gjithnjë në fillimet pluraliste e, në të vërtetë edhe para ndryshimeve politike, e ka më të lehtë të jetë i distancuar prej saj, dhe, mbi të gjitha, sundues i saj. Sepse e solli në pushtet, e mbajti në 12 vite në pushtet dhe është i bindur se pushteti do të jetë mburoja e tij. Ajo që përbën thelbin e një force politike, sidomos të majtë, të paktën teorikisht, kolegjialiteti, tashmë nuk ekziston. Ndoshta as nuk njihet nga shumë prej atyre që janë bërë pjesë e forcës politike, pa e njohur fare atë, pa qenë të mirë besuar dhe pa kaluar në mendimin njerëzor e politik të atyre që do të përfaqësojnë.

Në 12 vite pushtet qeveritar dhe shumë të tjera në pushtetin bashkiak, që herë pas here është më i qëndrueshëm se sa ai sipër tij, Rama ka ndjekur mendimin e tij, që, i larguar nga pushteti i shumicës, përsëri e ka mbajtur këtë shumicë në pushtet, por duke i dhënë forcën reale një grupi rreth shefit të qeverisë, që ndjekin shefin e tyre verbërisht, për të mos humbur çka i kanë dhuruar, për të mos qenë peng i bjerrjes së pushtetit dhe çka dhuron prej tij, e mbi të gjitha, të ndjejnë se si pushteti është më shumë se sa forcë, më tepër se sa pasuri, dhe, të ngjitur në majë përmes dëshirës së një çasti të shefit të tyre, bëjnë kujdesin e duhur të jenë të paqët, të bindur, të heshtur, luajalë.

E majta e ka bindjen e pushtetit edhe në mandatin e ardhshëm. Askush nuk ia heq nga mendja se përmbysja që ka ndodhur në vitin 2013 do t[ jetë fillesa e asaj që do të zgjasë minimum deri në vitin 2030 dhe, për më tej, kjo nuk është më dëshirë.

Socialistët po ndërtojnë ekipin e tyre. Të ndryshëm nga i mëparshmi, i cili  ndryshoi nga ndëshkimi dhe jo nga dëshira. Gjysma e atyre që nuk do të jenë më në radhët sipërore të së majtës janë objekt i SPAK-ut, gjysma tjetër nden rrezikun e afërt. Letra e hapura për to nuk do të thotë se janë të mbyllura për të rinjtë që po futen. Ky është thelbi. Socialistët nuk e kanë të vështirë të gjejnë njerëz të rinj, më shumë se gjithçka ata i josh pushteti, e vështirë është që pushteti të mos i korruptojë.

Tashmë nga brezi i vjetër nuk ka mbetur thuajse asnjë për të dëshmuar se e majta në Shqipëri ka një fillesë, ka një rrugëtim dhe një histori. Emrat e pakët janë relikte, por shumë domethënës. Ndoshta nga më domethënësit në ecurinë e kësaj force politike.

Në të majtën shqiptare ka pasur gjithnjë, edhe kur ajo është shfaqur thellësisht liberale, si në periudhën e shkurtër Nano, një dyzim dhe problem në raportin mes shefit dhe pjesës tjetër të partisë, që, në kohëra të ndryshme është shfaqur edhe në majën e piramidës, por asnjëherë kaq e theksuar se sa është sot.

Loja e socialistëve ka përmasa të mëdha, por skena është e ngushtë.

Ashtu si shumica e shqiptarëve, edhe socialistëve, pavarësisht nga shfryrjet pas mbarimit të punimeve të asamblesë apo të çdo lloj tjetër kuvendi, iu pëlqen vetja, e, natyrisht, bashkë me të, edhe pushteti i pa kontrolluar, sidomos nga një opozitë që sillet në këtë skenë e marrosur, e me brekë nëpër këmbë.

Të vetë kënaqur nga humnera ku është hedhur opozita, nga lëçitja e shefit të tyre, ata, edhe pas 12 viteve, e kanë më lehtë të gjejnë të keqen në sloganin “ fajin e ka Berisha, kur e gjithë loja e deri tanishme, megjithëse më qëndrestare se e shkuara, ishte plot faje dhe gjëma, të cilat, jo vetëm një herë, kanë qenë gremina ku shteti në vitet e ardhshme mund të bjerë në greminë.

Megjithëse unitare, ndoshta deri në humbjen e vetvetes, e majta është e bindur se do të vazhdojë të qeverisë, bile, si tha shefi i qeverisë, edhe më lehtësisht se pas vitit 1997, ku shumica dërmuese  e parlamentit ishte e tyre.

Krahasimet çalojnë, dhe viti 1997, edhe po të duan marrëzitë qeveritare, nuk përsëritet më. Për shumë shkaqe të njohura, njëra nga më të rëndësishmet se vendi nuk është më jashtë aleancave dhe kontrollit , jo vetëm politik.

Kombi është në një fazë të pa zakontë: ai i është shmangur vetmisë së tij të deri tanishme. Për herë të parë në historinë e tij moderne, në fakt , për herë të parë në histori, kombi ka braktisur vetminë e madhe që e kishte mposhtur për të qenë pjesë e një familje kombesh. Dhe këto kombe nuk pranojnë më lojëra të rrezikshme të politikës që përgjakin vendin. Ndaj qeverisja ndjehet më komode kur opozita ka rënë në theqafje, grindet me vetveten, sjell në skenë rioshë politikë që synojnë të hanë kokën e drejtuesit të tyre dhe sollën në polikë tipin e Ulriah Hipit të Dikensit.

Nuk është e vështirë të shpjegohet përse në pak vite Edi Rama vendosi autokracinë e tij fillimisht dhe , më pas, pushtetin absolut mbi të majtën shqiptare, që nga grimcat e zakonshme të saj, deri në majën e qeverisë.

Socialistët e kanë vullnetin për të qëndruar bashkë. Është veti e tyre. Ata, ndryshe nga forcat e tjera politike, e kanë marrë seriozisht shtetin. Nëse kanë ndjerë mbi vete, sidomos në fillimet pluraliste, cinizmin dhe shpërfilljen e kastës së re politike, që ishte po aq, në mos më e shëmtuar se klasa e vjetër që shkoi rrëmujshëm, shkeljen e çdo morali, hedhjen poshtë të asaj që kishte ndodhur dhe ku kishin qenë pjesë ndërtuese, ata u ndjenë jashtë shtetit, jashtë shoqërisë, të dënuar, pa e ditur përse, pasi, masa e tyre e madhe nuk kishte pasur asgjë më shumë , por edhe më pak, se të tjerët.

U duhej lideri. U duhej dora që mund t’i mblidhte. Kështu kishte ndodhur në fillimet e lëvizjes pluraliste, por kishte qenë masë e përkohshme, pasi fryma liberale ishte ajo që u kishte hequr pushtetin. U duhej një njeri për të qenë përballë Berishës, ashtu si opozita mendon se i duhet Berisha për të qenë përballë Edi Ramës.

Mes tyre nuk kishte asnjë që mund të kishte shtatin e tij. Majko ishte tejet i dobët për të qenë lider i pa diskutueshëm. Meta kishte ikur dhe mirë kishte bërë. Triumvirati Dokle – Pëllumbi – Ruçi ishte shumë i fortë kur ishin së bashku, por të pamjaftueshëm kur ishin fillikat. Edi Rama, megjithëse kishte qenë ia pa dashur fillimisht për të majtën, hyri përmes Ruçit dhe Dokles në triumvirat, duke shmangur gjithçka dhe , u bë ai që është.

Asambleja e së majtës këtë të diel dëshmoi se e majta e ka shenjtëruar liderin, duke e bërë autokracinë e Njëshit më të fuqishme se sa autokracinë e shumicës.

Çdo zgjedhje ishte dëshirë e tij dhe çdo pranim bëhet vetëm nëse hapet porta e dëshirës së tij. Ndoshta në këtë periudhë, kur ideologjitë janë bartëse të së pa diturës dhe prakticizmi ka vlerë më shumë se vizioni, e majta do të vazhdojë të qeverisë, por me humbjen e mëtejshme të identitetit të vetvetes dhe me petkun e pushtetit si manteli i njohur i mitologjisë së hershme.

Është ende herët për të thënë fjalën për pasojat e këtij procesi të ndërlikuar, por, mjerisht, në një çast të dhënë, do të jetë tepër vonë.

Historia e ë djathtës, me çmendjen e saj patetike ndaj liderit, ku besnikëria është shenjë e bindjes dhe rreth figurës së tij sillen edhe besnikët dhe “ judët”, mund të ishte një shembull që nuk duhet ndjekur.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit