Në ceremoninë e zhvilluar para bashkisë së Tiranës janë betuar 15 qytetarë për shtetësinë shqiptare para Erion Veliajt.
Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj.
“Krejt papritur nga një ‘katund’ i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj”, u shpreh Veliaj.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që bënë betimin që të japin kontributin për Tiranën, e cila gëzon tituj të ndryshëm falë punës së të gjithëve.
“Sot Tirana është presidenca e B40, që është rrjeti i bashkive të Ballkanit, para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Në qoftë se keni kontribute për të dhënë për secilin prej tyre titujve, jeni mëse të mirëpritur”, tha kryebashkiaku.