Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në emër të Shqipërisë nga selia e OKB në Samitin për të Ardhmen.
Rama kritikoi organizatën duke u shprehur se nuk ka mundur që të përmbushë shpresat e popujve.
“Sot sytë e botës duhet të jenë të kthyera në këtë mbledhje. Mund të themi se popujt e botës vazhdojnë të besojnë në premtimin e një të ardhmeje më të mirë ndërsa na shohin të mbledhur këtu. Dyshoj seriozisht për këtë dhe kjo është dicka me të cilën duhet të përballemi nën këtë cati të OKB. Ne duhet të kemi kurajon të pranojmë se së fundmi veprimet tona shumë shpesh kanë qenë larg përmbushjes së pritshmërive të popujve që deklarojmë se u shërbejmë.Herë pas here, OKB nuk ka mundur të përmbushë shpresat e ne popujve dhe frika për të ardhmen vazhdon të rritet kudo, në lindje, perëndim, veri edhe jug ndërsa krizë pas krize bie mbi ne”, u shpreh Rama.
Më tej ai tha se “Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm dhe askush nuk është i sigurt. Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjitha angazhimet e saj. Por ato nuk mjaftojnë. Fjalët duhet të transformohen në vepra”.
Në fund kryeministri tha se Shqipëria edhe pse është një vend i vogël i ka dhënë botës një shembuj shumë të mirë, si strehimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, mikpritja e afganëve dhe veprat e shenjtores katolike Nënë Tereza.