Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Niko Peleshi në një deklaratë për mediat nga Kolonja është shprehur se socialistët janë shumë pranë mandatit të katërt.
Peleshi tha se ky objektiv 10 vite më parë përdorej si një fjalë por sot është një realitet që artikulohet edhe nga zyrtarët e lartë të BE.
“Është një datë që ne e kemi kthyer në plan pune, parlamenti nga ana tjetër ka detyrat e veta në këtë proces, pra synimi ynë është të fitojmë mandatin 4 për të vazhduar pa humbur ritmin, në rrugën drejt destinacionit historik të shqiptarëve që është anëtarësimi në BE në 2030”, u shpreh Peleshi.
Ai deklaroi se për shkak të rritjes së popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak.
“Synimi ynë do jetë i njëjtë, duam të ruajmë 6 mandate me dy deputetë diferencë nga PD, por duke patur parasysh potencial e ri që i ofrohet politikës me këtë kod të ri zgjedhor, që është votë e diasporës, objektivat mund të rriten, sepse kemi aq votues në diasporë sa në Shqipëri. Një nga pikat e takimit në çdo bashki është dhe organizimi për votën e diasporës. Në rast se janë 10 deputetë do të ketë 3 mandate të mbyllura, në rast se janë 11 deputetë do të ketë 4 mandate të mbyllura”, tha Peleshi.
Ndërsa për mandatin e Olta Xhaçkës dhe deputetit Sinaj, ai tha se “Vendimi i gjykatës për deputeten Xhaçka është votuar në seancë, ka hyrë në proces mandati i deputetit Sinaj, do marrë kohën e vet, është duke u shqyrtuar. Do vazhdojë procesi deri sa të ketë një vendim të këshillit të mandateve”.