-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Pleqtë e Putinit

Kryesoret

Ata quhen Schröder, Verheugen, von Dohnanyi dhe i përkisnin dikur elitës socialdemokrate gjermane. Sot s’janë më shumë se propagandistë të Vladimir Putinit

Ka njerëz që nuk mund të pajtohen me humbjen e rëndësisë. Politikanët që kanë humbur zgjedhjet ose janë larguar nga politika dhe orë e çast duan të na bindin sa mirë kanë qeverisur – këta politikanë janë monotonë. Siç janë monotonë edhe gazetarët në moshë të shtyrë që japin leksione se si bëhej gazetaria dikur – natyrisht leksionet nuk ua kërkon askush.

Ditë më parë në një hotel luksoz të Cyrihut qëndroi Gerhard Schröder, ish-kancelar socialdemokrat i Gjermanisë. I ftuar nga një publicist i djathtë zviceran, Schröder ndau me publikun mendimet e tij mbi gjendjen në botë. T’i biem shkurt: Schröder tha se demokratët amerikanë nuk e kanë ndërmend ta ndalin luftën në Ukrainë, këtë, sipas tij, e bën vetëm Donald Trump. Schröder gëzon epitetin aspak përkëdhelës si adhurues i Putinit, për këta njerëz në Gjermani është shpikur ekstra një fjalë: “Putinversteher”, (mirë)kuptues i Vladimir Putinit.

Duke qenë i tillë, Schröder, 80-vjeçar, e lavdëron Trumpin me shpresën se Putini do ta ketë më lehtë me të në gjetjen e një “zgjidhjeje” për Ukrainën sesa, ta zëmë, me një politikane si Kamala Harris. Tendenca e socialdemokratëve pa parime si puna e Schröderit është dashakeqëse: ata i trajtojnë njëjtë viktimën (Ukrainën) dhe agresorin (Rusinë) ose – edhe më keq – fajin ia hedhin Ukrainës, e cila “s’po bën kompromise”. Përkthyer në gjuhë të kuptueshme, kjo domethënë: Ukraina t’i nënshtrohet diktatit rus në mënyrë që socialdemokratët e shampanjës dhe kaviarit t’u kthehen bizneseve me Putinin.

Günter Verheugen, një 80-vjeçar tjetër, socialdemokrat prominent, nuk përpiqet fare ta fshehë antiamerikanizmin e tij. Në një intervistë me gazetën “Die Welt”, ai përhap përrallën se Perëndimi e ka mashtruar Mihail Gorbaçovin në fillim të viteve ’90, duke i premtuar se NATO-ja nuk do të zgjerohet në Evropën Lindore. Nuk ka asnjë dëshmi me shkrim se Perëndimi ka bërë këso premtimi, por Verheugen nuk bëhet merak për faktet, as për arkivat. Sipas tij, nuk është Rusia ajo që po i zgjeron sferat e interesit në Evropën Lindore, por “jemi ne”, pra Perëndimi.

Nga kjo qasje e Verheugenit buron një arrogancë e paparë kundër popujve të Evropës Lindore, kundër shteteve baltike, polakëve, çekëve e të tjerëve, të cilëve u mohohet e drejta e tyre elementare për politikë të pavarur sa i përket krijimit të aleancave. Kanë qenë këto vende që kanë kërkuar të anëtarësohen në NATO dhe jo e kundërta – dhe kërkesat e tyre kanë qenë legjitime, sepse nuk duan të jenë koloni ruse siç kanë qenë pas vitit 1945 për më shumë se 4 dekada. Verheugen ka qenë, mes tjerash, komisionar i Bashkimit Evropian për zgjerim.

Në një vijë me Schröderin dhe Verheugenin qëndron edhe Klaus von Dohnanyi, ish-kryetar socialdemokrat i qytetit të Hamburgut dhe ish-sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë. Në deklaratat e tij publike, Von Dohnanyi Ukrainën nuk e konsideron shtet sovran, e bën bashkëfajtor Perëndimin për luftën në Ukrainë dhe krejt qëndrimet e tij i njollos me një dozë antiamerikanizmi.

Në librat e tij, Von Dohnanyi thekson se duhet hequr dorë nga politika e jashtme e bazuar në vlera. Parësore, sipas tij, janë interesat nacionale. Sanksionet kundër shteteve diktatoriale Von Dohnanyi i quan të paefektshme. Klaus von Dohnany është 96-vjeçar.

Mes viteve 1976-1981, Von Dohnanyi ka qenë sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Në atë kohë, shërbimi sekret jugosllav ka vrarë në Gjermani me dhjetëra emigrantë politikë duke e atakuar kësisoj në mënyrë flagrante sovranitetin e shtetit gjerman. Von Dohnanyi i përkiste grupit të politikanëve gjermanë që diktatorin jugosllav Josip Broz Tito e trajtonin me kujdes. Më 2014, kur Kroacia u detyrua nga Gjermania të ekstradojë udbashët Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq, Von Dohnanyi u thirr si dëshmitar në procesin gjyqësor të mbajtur në Mynih.

Perkoviq dhe Mustaq akuzoheshin për organizimin e vrasjes së disidentit kroat Stjepan Gjurekoviqit, i cili ishte arratisur nga Jugosllavia më 1982 dhe vitin vijues ishte vrarë afër Mynihut. Von Dohnanyi e pranoi se politika e atëhershme gjermane ndaj Jugosllavisë ka qenë “politikë e duarve të përlyera”. Perkoviq dhe Mustaq u dënuan me burgim të përjetshëm. Kjo u bë falë këmbënguljes së drejtësisë gjermane. Një këmbëngulje që po mungon në kapjen dhe dënimin e vrasësve të emigrantëve politikë nga Kosova (Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla), të vrarë më 1982.

Von Dohnanyi do të ishte me gjasë një burim interesant informatash nëse një ditë do të niste një proces gjyqësor për rastin “Gërvalla & Zeka”. Këmbëngulja e palës gjermane për të dënuar vrasësit e Gjurekoviqit ka të bëjë me gjasë edhe me faktin se ai, sipas dëshmive, ka qenë bashkëpunëtor i shërbimit sekret gjerman (BND)./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit