-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

“Duhet seriozitet”, ambasadori amerikan në Kosovë nxit dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

Kryesoret

Diplomatë perëndimorë dhe përfaqësues organizatash të shoqërisë civile nga rajoni, thanë të mërkurën në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen më seriozisht në dialog si e vetmja rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe integrimin e tyre në strukturat euroatlantike.

Ata i bënë këto komente përgjatë punimeve të një takimi për Paqen dhe Demokracinë që po mbahet në Prishtinë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se nevojitet një ripërkushtim në dialog nga të gjitha palët.

“Ajo që na duhet është t’i jepet fund marrjes përsipër të detyrimeve të cilat nuk zbatohen. Na duhet një seriozitet dhe qëllim në këtë dialog, mund ta quani riformatim, ripërkushtim, qasje të re apo qasje më energjike, por kjo është absolutisht e nevojshme dhe kjo duhet bërë nga të gjitha palët. Ka mundësi të shumta për ta bërë një gjë të tillë. Qeveria ime do të ndryshojë me 20 janar, Bashkimi Evropian ka përfunduar zgjedhjet dhe ka një strukturë të re udhëheqëse, prandaj qartazi është një moment thelbësor për të parë ku jemi, ku duam të shkojmë dhe të bëjmë disa ndryshime”, tha ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, tha se pengesa më e madhe në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është mungesa e tërësishme e vullnetit politik nga të dyja palët, duke ju referuar moszbatimit të marrëveshjes së Ohrit për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar.

“Na duhet një riangazhim urgjent, ka një ekip të ri në Bruksel dhe unë e them dhe e rithem sërish se Kosova duhet të jetë aktive në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse kjo është një rrugë e qartë edhe për integrimin e pakicës serbe në vend. Por, gjithashtu kjo do të jepte sinjal se për Kosovën marrëveshja e Ohrit është ende e gjallë. Në të kundërtën Bashkimi Evropian mbetet i pakapshëm për Kosovën dhe Serbinë sepse nuk mund t’i bindësh vendet anëtare të bllokut pa qenë në gjendje të bësh minimumin”, tha ai.

Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është pika më e vështirë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Eksperti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, tha se që kur të dyja palët kanë nisur procesin e bisedimeve, thelbi i tij ka qenë një lloj autonomie më e gjerë për serbët në Kosovë në këmbim të një njohjeje de facto të saj nga Serbia, por një gjë e tillë sipas tij nuk është më e mundur të arrihet.

“Sepse shumë nga problemet që pritej të trajtonte, posaçërisht sa i takon veriut të Kosovës, tashmë janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga qeveria e Kosovës. Është vështirë të paramendohet tani kthimi në një situatë ku qeveria e Kosovës do të thoshte ‘në rregull ne i kemi larguar të gjitha këto institucione serbe dhe i kemi zëvendësuar ato me institucione kushtetuese, por tani do të ju japim një strukturë vetëqeverisëse ku Beogradi mund të luaj ndonjë rol’, kjo thjeshtë nuk do të ndodhë. Kështu që në një mënyrë zemra i është hequr këtij dialogu dhe nuk ka diçka të qartë me të cilën do të zëvendësohej”, tha ai.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se pas shumë vitesh, në një kontekst të ri gjeopolitik, Bashkimi Evropian po e shqyrton zgjerimin në mënyrën më serioze dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë këtë momentum të ri.

“Më duhet ta theksoj procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit nëpërmjet dialogut, sepse është absolutisht thelbësore. E di që ka pritshmëri nga struktura e re udhëheqëse dhe do të doja të citoj diçka nga mandati që më është dhënë prej 27 vendeve anëtare që thotë se ‘duhet të promovoj një Kosovë të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe shumetnike e cila angazhohet në bashkëpunimin rajonal’ dhe këtë do ta bëj. Si përfundim ka një momentum të ri për të gjithë ne dhe mesazhi im për të gjithë është të jeni të gatshëm që kur treni të vijë të mos jeni vonë”, tha ai.

Ka 13 vjet që Kosova dhe Serbia janë të përfshira në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj, që është edhe kusht për përparimin drejt anëtarësimit në bllok, ka ngecur.

Pjesëmarrësit në takimin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci theksuan sot rëndësinë që të dyja palët, por edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të ruajnë përqendrimin e bashkësisë euroatlantike ndaj rajonit, në të kundërtën ekziston rreziku që të krijohet hapësirë për ndikime të huaja keqdashëse, posaçërisht ndikimit rus në Ballkan./voa

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit