Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi se Bashkimi Evropian ka ndarë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor në katër vitet e ardhshme, prej të cilave 882 milionë euro mund të shkojnë për Kosovën, nëse plotësohen reformat e dakorduara.
Ai sqaroi se 235 milionë euro do të jenë grante, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formë huash. Bislimi theksoi se reformat përfshijnë përforcimin e administratës dhe sigurinë kibernetike, dhe se po punohet për të afruar Kosovën më pranë integrimit në BE.
“Plan ka për qëllim që vendin tonë ta sjellë më afër Bashkimit Evropian dhe të përshpejtohet procesi i arritjes së reformave, që të shpejtojmë hyrjen në Bashkim Evropian. Për katër vjetët e ardhshme nga Komisioni Evropian janë ndarë edhe 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova do t’i ketë 882 milionë euro kur i plotësojmë reformat që jemi dakorduar me Komisionin Evropian”, ka deklaruar ai para gazetarëve.
Bislimi shtoi se në mesin e reformave të dakorduara bëjnë pjesë përforcimi i administratës, organizimi i ministrive të linjës, plotësimi i kornizës ligjore të prokurimit, siguria kibernetike, forcimi i zbatimit të kornizës legjislative, të drejtat e komuniteteve joshumicë”, ka thënë ai.