-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Gjysma e dytë e munguar e fjalisë në Gaza

Kryesoret

Libri i të vrarëve në Gaza ka 659 faqe dhe fillon me emrat sipas moshës, nga foshnjat e tutje. Në 100 faqet e para janë të vendosura emrat e fëmijëve deri në moshën 10-vjeçare; emrat e personave me moshë madhore paraqiten tek në faqen 215. Izraeli, i cili duhet ta ketë të drejtën për mbrojtje, nuk duhet ta ketë të drejtën për fushatë krimesh kundër njerëzimit

1.

Më 7 tetor të vitit të kaluar m’u poq mendimi se ditët në vijim do të kisha frikë t’i shikoja lajmet e mbrëmjes.

Atë mëngjes pashë njërin lajm që zinte vendin e tjetrit për sulmin e Hamasit nga Rripi i Gazës kundër qytetarëve izraelitë tej rrethojës që ndanë Gazën prej Izraelit. Të vrarë, të dhunuar seksualisht, të rrëmbyer atë ditë ishin gati 1.200 fëmijë, gra, burra , të rinj e pleq. Që të gjithë ishin viktima sepse ishin hebrenj. Një numër i madh sish ishin banorë të kibuceve afër Gazës, njerëz që tradicionalisht kanë më së shumti ndjesi për të drejtat e njeriut të palestinezëve dhe më së shumti kundërshti për dhunë e luftë. Një numër i madh i viktimave ishin pjesëmarrës të një festivali të muzikës techno, të rinj që projektojnë një imazh “hippie” të shekullit XXI.

Atë ditë, Hamasi për mendjen time u përpoq të dërgojë tri porosi thelbësore. Një, se të qenët pjesë e popullit të okupuar i jepte të drejtë të ushtrojë dhunë ndaj çdo hebreu. Dy, se çështja e numrit të viktimave është thjesht problem teknologjik: po të kishte më shumë kohë dhe armë do të vriste shumëfishin e hebrenjve (në shumicë civilë-fëmijë, gra, burra, të rinj e pleq)  që do të gjenden përballë pjesëtarëve të Hamasit. Dhe tre, se ishte i gatshëm ta ngrinte luftën e vet asimetrike kundër Izraelit në shkallë deri tani të paparë.

Që të tria porositë-çdonjëra e rëndë veç e veç-të përmbledhura do të ishin një fjali drejtuar Izraelit: “Ju nuk dini se deri ku mund të shkojë çmenduria jonë në veprime kundër jush”

Atë ditë frikohesha se me kalimin e kufirit- bukur lehtë të kalueshëm të çmendurisë së dhunës në konfliktin izraelito-palestinez – nga ana e Hamasit, Izraeli do të donte të dëshmonte se steka të cilën e vendosi Hamasi do të bëhet e pavërejtshme me përgjigjen që do ta jepte.

Lajmet e mbrëmjes nuk kanë qenë më të njëjta, ose së paku unë nuk mbaj mend të jenë të njëjta prej kohës së televizorëve bardhë e zi dhe kronikave nga lufta në Vietnam.

2.

Përgjigjja e armatosur e Izraelit ishte e ndërtuar sipas tri porosive fillestare të Hamasit. Pra, të qenët viktimë e “pogromit” antihebre të Hamasit i jepte Izraelit të drejtën të ushtronte dhunë ndaj çdokujt që identifikohet si armik i Izraelit. Dy, se çështja e numrit të viktimave është thjesht problem teknologjik: Izraeli do të hedhë bomba kundër çdo pjesëtari të Hamasit deri në shkatërrimin e çdo pjesëtari të Hamasit dhe gjallese a ndërtese që gjendet në Gaza. Dhe tre, se ishte i gatshëm ta ngrinte luftën asimetrike kundër palestinezëve deri në shkallë deri tani të paparë.

Në këso përllogaritje rezultati mund të matet me shifra. Përderisa i shkruaj këta rreshta, numri i të vrarëve sipas autoriteteve palestineze, është duke shkuar drejt 42 mijë njerëzve. Organizata britanike OXFAM ka konstatuar se predhat izraelite kanë goditur objekte civile-përfshirë shkollat, spitalet dhe qendrat e shpërndarjes së ndihmave-mesatarisht çdo tri orë përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Por, ndoshta rrëfimi më tronditës i numrave ishte ai të cilin e shënoi “The Guardian” në mes të shtatorit. Sipas gazetës, autoritetet palestineze në Gaza kanë botuar listën e emrave të viktimave që nga 8 tetori i vitit të kaluar. Lista është një libër që ka 659 faqe dhe që fillon me emrat sipas moshës, nga foshnjat e tutje. Në 100 faqet e para janë të vendosura emrat e fëmijëve deri në moshën 10-vjeçare; emrat e personave me moshë madhore paraqiten tek në faqen 215. Emri i fundit në listë është i një personi të lindur më 1922 që i kishte kaluar të gjitha luftërat dhe gjeti vdekjen nga bombardimet në moshën 102-vjeçare.

Në këtë listë janë të vendosura vetëm emrat e kufomave të identifikuara. Mbi 10 mijë kufoma nuk janë nxjerrë nga rrënojat.

3.

Frika nga lajmet e mbrëmjes që m’u lajmërua kur filloi kjo luftë ka diçka vetjake në të.
Është frika nga të qenët dëshmitar i vdekjes. Orë pas ore, natë pas nate, lajmet nga Gaza tregojnë se si ndërpriten jetët e fëmijëve, familjeve, lagjeve. Dhe, duke i shikuar në ekran, bëhem bashkëpjesëmarrës i këtij rituali mortor duke mos pasur mundësinë që të ndryshoj gjë.
Është frika nga ikja prej dëshmisë. Ndonjëherë e ndërroj kanalin, nuk shikoj lajme. Duke mos qenë dëshmitar i vdekjes, duke ikur prej saj, heq një copë përgjegjësie që më duket se më përket. Dhe është frikësuese të ikësh nga vetja.

Është frika nga indiferenca. Ndonjëherë jepet një kronikë pas tjetrës, njëra vuajtje gati e papërshkrueshme pas tjetrës dhe kam frikë se po krijohet një tis rezistence ndaj lajmit në lëkurën time, një mekanizëm që më mbron nga gjithë ai llahtar. Dhe kam frikë se kështu do të mund të krijojë indiferencë. Kam frikë se shoqëritë krijojnë kështu indiferencë.

Është në fund frika në dehumanizim, kjo është frika më e madhe. Nga tërë ky vit mbaj mend kronikën e vajzës 6-vjeçare, së cilës i ishte vrarë familja duke ikur prej një pjese të Gazës në tjetrën dhe e cila kërkonte ndihmën e Emergjencës (Gjysmëhënës së kuqe). E fshehur prapa veturës ku u vra familja e saj, pas tri orësh mbërritën infermierët e emergjencës dhe ushtria izraelite i vrau ata së bashku me vajzën 6-vjeçare, Hind Rajab. Një vit më pas, vrasja e saj është e legjitimuar nga vetë vazhdimi i luftës: çdo viktimë e re legjitimon vrasjen e viktimës paraprake. Në logjikën e shteteve e diplomacive këto nuk janë më krime, janë statistika.

Një organizatë si Hamasi para një viti vendosi të tregonte se nuk i respekton vlerat bazike njerëzore duke vrarë, dhunuar seksualisht dhe rrëmbyer cilindo hebrenj që të ketë qëlluar afër. Shteti i Izraelit, me qeveri të zgjedhur nga vota e lirë, është duke shkelur vlerat bazike njerëzore duke zhvilluar një fushatë ndëshkimi kolektiv ndaj popullit palestinez në Gaza e të spastrimit etnik në Bregun Perëndimor. Brutaliteti i Hamasit ka marrë përpjesëtim industrial në fushatën e krimeve kundër njerëzimit që po zhvillon shteti i Izraelit.

Brutaliteti-qoftë ai manufaktural i Hamasit, qoftë ky industrial i Izraelit-po shndërrohen në veprime legjitime, veprime që përsëriten natë pas nate në lajmet televizive, shndërrohen në statistika dhe në pritje se disi do të ndalen vetvetiu.

4.

Kosova ka mbajtur një qëndrim unison me Perëndimin rreth Gazës që nga dita e parë, që nga pogromi i Hamasit. Kosova, si pjesë e Perëndimit ka përsëritur përkrahjen e Izraelit për t’u mbrojtur. Gjatë këtij viti, Izraeli e ka konsideruar këtë fjali përkrahje si një autorizim për veprime ushtarake që Izraeli i konsideron si mbrojtje, përfshirë krimet kundër njerëzimit.

Kosova i ka më të freskëta vragat, edhe vetë viktimë e krimeve kundër njerëzimit, madje e shpëtuar nga këto krime falë një Perëndimi që në fund të shekullit XX u ngrit për të mbrojtur vlerat bazike të njeriut. Mbase për këtë, Kosova meriton që me të drejtë të pozicionohet me Perëndimin për të drejtën e Izraelit që të mbrohet. Por që fjalia të mos përfundojë me pikë. Një vit më pas fjalia e botës së lirë duhej të ishte:

Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por jo ta ndëshkojë kolektivisht popullin palestinez në Gaza a territore të okupuara./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit