-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Hapi i tretë i Aleksandar Arsenijeviçit

Kryesoret

Aktivistët serbë në veri të vendit nuk duhet të arrestohen për fishkëllima proteste. Për më tepër, nuk kanë nevojë ta bindin kënd se kanë të drejtë. Por tash e kanë rastin që të dëshmojnë se kanë të drejtë nëpërmjet votës. Shqiptarët në Kosovë, të cilët kaluan sfidën “bullet to ballot”, kalimin prej plumbave në kuti të votimit, mund ta kuptojnë më mirë sfidën e bashkëqytetarëve serbë. Edhe ata janë tash para kësaj sfide

1.

Nuk e njoh Aleksandar Arsenijeviqin, por ky politikan i ri serb nga Mitrovica e Veriut ka bërë dy veprime të cilat një gjeneratë si e imja, që i ka prirë lëvizjes së padhunshme kundër pushtetit të Milosheviqit dhe okupimit të Kosovës, mund ta kuptojë fare lehtë. Madje edhe ta mirëkuptojë.
Ai së fundmi njihet si njeriu që arrestohet orë e çast për shkak se fishkëllen në sheshin e Mitrovicës së Veriut. Motivi i fishkëllimës nuk më duket i arsyeshëm. Është protestë ndaj shëtitjes së ndonjë zyrtari shqiptar të Kosovës apo të kryetarit të Komunës, Atiq (boshnjak nga përkatësia). Nga perspektiva e një shqiptari apo boshnjaku, protesta e tij mund të interpretohet edhe si protestë kundër të drejtës që shqiptari apo boshnjaku të ecin nëpër rrugët ku shumica e qytetarëve janë të nacionalitetit serb.
Por mendoj se ai ka të drejtë të protestojë me fishkëllimë, qoftë edhe me motiv të gabuar, dhe të mos arrestohet. Në vend të ftesës së forcuar me lidhje duarsh për bisedë informative në polici, ai duhet të ftohet çdo herë në bisedë politike, nga kushdo të jetë në pushtet dhe cilado parti politike, posaçërisht ato shqiptare. Fishkëllima është sinjal i një halli, por ai hall nuk mund të shpjegohet me fishkëllimë; Arsenijeviqi dhe të gjitha ato figura politike e të shoqërisë civile serbe që protestojnë me fishkëllima kanë jo vetëm të drejtë, por duhet ta kenë edhe ftesën e hapur që të shprehin protestën, dëshirën, propozimet e projeksionet e tyre në bisedë politike.

2.

Veprimi i tij i dytë kishte ndodhur më herët. Kur u zhvillua një aksion për heqjen e flamujve serbë, ai shprehu protestën e tij të vetëfilmuar kundër politikës së flamujve , duke treguar flamujt e papenguar shqiptarë në mes të Prishtinës. Në çështje flamujsh te serbët ekziston një konfuzion pak më i madh jo vetëm pse flamuri i Serbisë është i vetmi flamur i një republike që ka kurorë mbretërore si simbol, por më shumë për shkak të përzierjes së flamurit shtetëror me atë kombëtar; ai kombëtar nuk e ka këtë stemën e republikanizmit monarkik. Por shqiptarët, posaçërisht të rinjtë, nuk mbeten pa konfuzion, ngase ai që për gjeneratën time ishte flamur kombëtar, për të lindurit pas shpalljes së pavarësisë po shndërrohet në flamur të Shqipërisë.

Kjo puna e konfuzionit me flamuj mund të ishte hyrje për një tekst më të gjatë – rreth procesit fluid të ndërtimit të identiteteve – por në këtë rast shërben për ta kuptuar Arsenijeviqin nga këndi i vet. Shqiptarët që pas Luftës së Dytë Botërore e konsideruan të drejtën për të valuar flamurin shqiptar si njërën prej të drejtave themelore kombëtare e njerëzore, e kanë më lehtë ta mirëkuptojnë ndjenjën e njëjtë që ekziston te populli serb në Kosovë nëse nisen prej parimit që nuk duhet t’ia bësh tjetrit atë që nuk do të doje që tjetri të ta bënte ty.

3.

Arsenijeviqi dhe aktivistët e tjerë kanë fushë të gjerë veprimesh të tjera inventive para vetes. Nëse iu mungojnë idetë, mund të kthehen te rezistenca jonë e viteve 1990 e 1991, është një listë e gjatë gjërash që mund të bëjnë. Këtë e di, asokohe unë isha ndër ata që gjenin zgjidhje kreative për të rezistuar.

Por nuk do t’iu sugjeroja të shkonin në këtë drejtim. Fillimisht nuk besoj se qëndron barazimi, aq i mendjelehtë, i gjendjes së tanishme të pjesës veriore të Kosovës me sundimin e Milosheviqit. Pushteti në Kosovë, përkundër ndonjë deklarimi të ndonjë shqiptari me nam, nuk po ua bën serbëve të Kosovës atë që ua bëri Milosheviqi shqiptarëve të Kosovës. Dhe, Arsenijeviqi me shokët apo me zërat kritikë shqiptarë mund të zhvillojnë debate për të dëshmuar të kundërtën, por këto debate mund të konsumojnë kohë e të mos kenë ndonjë ndryshim thelbësor, si për shembull një ndërhyrje ndërkombëtare, e cila do të krijojë paqen në atë pjesë të vendit. Ndërhyrja ndërkombëtare tashmë ka ndodhur; KFOR-i ka qenë dhe është aty së bashku me praninë e autoriteteve kosovare për të mos u përsëritur gjë nga makthi i viteve nëntëdhjetë.

Ndryshimi për Arsenijeviqin e të tjerët mund të jetë shumë më afër se çfarëdo fushate me fishkëllima, vuvuzela, tenxhere apo ecje protestuese nëpër sheshe. Nuk kanë nevojë ta bindin kënd se kryetarët e komunave që nuk i kanë votat e shumicës së qytetarëve nuk kanë legjitimitet (ndonëse kanë legalitet të plotë); kjo tashmë është e ditur. Në vend të protestës kundër mungesës së legjitimitetit, qytetarët serbë të veriut duhet ta bëjnë ndryshimin, e ndryshimi janë zgjedhjet demokratike.

Dhe këto paraqesin sfidë më të madhe për Arsenijeviqin e për banorët e tjerë të pjesës veriore të Kosovës se për këdo tjetër në Kosovë.

Së pari, ngase banorët e katër komunave të veriut duhet të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do  të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm dhe në zgjedhjet e rregullta komunale që do të mbahen në tetor të vitit të ardhshëm. Pra, brenda një viti dy palë zgjedhje është një sfidë e madhe për dikë që, si Arsenijeviqi, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje.

Së dyti, sepse Arsenijeviqi nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje të lira. Ai kishte moshë për të marrë pjesë (nuk di a ka marrë pjesë) në zgjedhje për herë të parë pasi Kosova shpalli pavarësinë, dhe të gjitha zgjedhjet që u organizuan në komunat veriore të Kosovës – asaj jo të pavarur dhe asaj të pavarur – nuk e kaluan pragun e certifikatës të të qenit demokratike e të lira.

4.

Sfida e kombinuar për Arsenijeviqin – edhe si metaforë për qytetarët serbë të pjesës veriore të vendit – është si të marrin pjesë në një proces demokratik në dy palë zgjedhje brenda vitit, dhe që kjo të ndodhë për herë të parë në jetët e tyre.

Nga ky këndvështrim, sfida e Arsenijeviqit ishte sfidë e bashkëqytetarëve shqiptarë të Kosovës, madje sfidë që zgjati deri vonë, kur më në fund u arrit një shkallë e pranueshmërisë demokratike të zgjedhjeve. Shqiptarët mund ta kuptojnë sfidën e Arsenijeviqit nëse u kujtohet se si njerëz të dhunshëm, në një ndërlidhje mes krimit dhe politikës, rrinin afër qendrave të votimit dhe herë me drita të ndalura e herë me të ndezura ndikonin që kutitë e votimit të kishin më shumë vota sesa votues apo që ato vota të ndara për partitë e tjera të shkarraviteshin për t’u shpallur të pavlefshme.

Ashtu si shqiptarëve iu desh një kohë për të arritur procesin zgjedhor legjitim e demokratik, ashtu iu është dashur edhe qytetarëve serbë në pjesën veriore të vendit. Tash janë para momentit kthesë në demokraci dhe në këtë moment kthese duhet të bëhet edhe kthesa politike ndaj veriut. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës – që nga KQZ-ja, pushteti ekzekutiv e deri te ato të shoqërisë civile – duhet të bisedojnë me liderët politikë e shoqërorë të serbëve të katër komunave veriore. Biseda duhet të përqendrohet në vetëm një çështje: çka duhet bërë që qytetarët e katër komunave veriore të kenë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Dhe kjo është një bisedë në të cilën do kyçur në mënyrë urgjente bashkësia ndërkombëtare. BE-ja, e cila e futi veten në kurth me sanksione kundër Kosovës për zhvillimet në veri të vendit, ka mundësi të dalë nga ai pozicion duke i prirë Fondit për Demokraci për katër komunat në Veri. Ky fond do t’iu ndihmonte partive politike, iniciativave qytetare, organizatave për vëzhgim zgjedhor, mediave të pavarura. Pra, ky fond do të bënte të gjitha ato që fonde të ndryshme perëndimore kanë bërë për jetën politike në Kosovën e pasluftës me rezultatet me të cilat ndihma perëndimore mund të krenohet – jeta politike në Kosovë është më lart në standarde demokratike në regjion, dhe këto standarde janë gjithnjë në rritje e sipër.

5.

Sfida perëndimore për demokracinë e Kosovës së pasluftës ishte e formuluar në anglisht : “from bullet to ballot”, pra si të kalohet prej plumbave në kuti të votimit. Kaloi një kohë dhe kjo u arrit. Një pjesë e Kosovës, katër komuna të veriut, nuk e përjetuan këtë; plumbat vrisnin politikanë serbë, e së fundmi edhe një polic shqiptar. Tash mund të ketë ardhur koha për kuti të votimit./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit