Vdekja e Yahya Sinwar, kreut të Hamasit dhe organizatorit të sulmeve të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael, ka pasoja të mëdha për konfliktin në Gaza, për fushatat e tjera të Izraelit në Liban dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe për politikën e brendshme të Izraelit.
Do të ketë luftë – ose luftëra – edhe pas vrasjes së militantit veteran 62-vjeçar. Një nga ndikimet më të mëdha të menjëhershme do të jetë padyshim në Hamas, i cili tashmë ka humbur pjesën më të madhe të udhëheqësve kryesor. Sinwar, tashmë kreu i krahut ushtarak në Gaza, mori drejtimin e organizatës pasi paraardhësi i tij, Ismail Haniyeh, vdiq pas një shpërthimi të një bombe në një rezidencë qeveritare në Teheran në muajin korrik, për të cilën gjë u fajësua shteti izraelit.
Zyrtarë të tjerë të lartë u vranë në Bejrut dhe në Gaza, ku sulmet ajrore izraelite eliminuan me sukses komandantët ushtarakë të Hamasit, si Marwan Issa dhe Mohammed Deif.
Hamas do ta portretizojë Sinwarin si martir dhe do të përpiqet ta kurorëzojë vdekjen e tij në një mënyrë që do të frymëzojë rekrutë të rinj. Fakti që ai duket se ka vdekur gjersa ka luftuar në vijën e frontit, me armë në dorë, do ta ndihmojë këtë. Por, pavarësisht nga propaganda, eliminimi i një lideri kaq të respektuar ka gjasa të mos rrisë rekrutimet dhe Hamasit i duhen shumë njerëz të rinj në Gaza, ku ka pësuar humbje të mëdha.
Komanda në Gaza ka gjasa të kalojë tek vëllai më i ri i Sinwarit, Mohammed, 49 vjeç, i cili me shumë gjasa do të vazhdojë strategjinë e rezistencës së nivelit të ulët ndaj Izraelit, me fokusin për të ruajtur një lloj kontrolli administrativ në hije në territor dhe për të shfrytëzuar zemërimin ndërkombëtar për viktimat civile për të ushtruar presion mbi Izraelin.
Por, në mënyrë më të gjerë, Hamas do të hidhet në kaos. Tani do t’i duhet të gjejë një udhëheqës të ri të përgjithshëm. Sinwar, pavarësisht gjithë autoritetit që kishte grumbulluar gjatë dekadave, ishte një zgjedhje kontroverse dhe, edhe pse pasimi nga vëllai i tij do të dërgonte një mesazh të fuqishëm, Mohammed Sinwar do të kishte vështirësi për të bashkuar dhe mobilizuar organizatën.
Zgjedhjet strategjike kryesore, të cilat ishin shtyrë nga emërimi i Yahya Sinwar, tani do të duhet të bëhen, nën presion të madh dhe me dijeninë e plotë që shërbimet izraelite të sigurisë janë të afta të gjurmojnë dhe të vrasin edhe zyrtarët më të lartë.
Në Izrael, ku shumë njerëz ende fajësojnë Benjamin Netanyahu për dështimet e sigurisë që çuan në vdekjen e 1200 personave, shumica civilë, dhe rrëmbimin e 250 të tjerëve gjatë sulmeve të 7 tetorit, vrasja e Sinwarit do të forcojë shumë pozicionin politik të kryeministrit dhe do të mobilizojë bazën e tij mbështetëse të vijës së ashpër të djathtë.
Vlerësimet e Netanyahut në sondazhe tashmë po përmirësoheshin pas një serie suksesesh taktike në Liban, duke përfshirë vrasjen e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shpejt pasuan raportime për festime në Jerusalem të enjten.
Vdekja e Sinwarit padyshim që do të shihet nga disa izraelitë, përfshirë shumë prej atyre në poste të larta në ushtri, shërbimet e inteligjencës dhe qeveri, si një moment për të shpallur fitoren në Gaza dhe për t’i dhënë fund një fushate që shihet gjerësisht si rraskapitëse, edhe pse e nevojshme. Por, sesa ndryshim real mund të sjellë kjo në terren është e paqartë.
Një mundësi është që negociatat për armëpushim të marrin një shtysë tani që një nga dy individët që akuzohet për bllokimin e çdo marrëveshjeje është eliminuar. Por, qëndrimi i çdo pasardhësi të Sinwarit për negociatat mund të mos jetë shumë i ndryshëm, dhe Netanyahu gjithmonë ka këmbëngulur se presioni ushtarak është ai që do të sjellë kthimin e rreth 100 pengjeve në Gaza, nga të cilët mendohet se vetëm gjysma janë ende gjallë. Shanset që Netanyahu të pranojë tani të lirojë mijëra të burgosur palestinezë, përfshirë shumë që kanë vrarë izraelitë, dhe të bëjë lëshime të dhimbshme, janë shumë të vogla.
Ka një mundësi që SHBA-të tani të ushtrojnë presion mbi Izraelin për përfunduar ofensivën në Gaza – diçka që do të ishte një lehtësim i madh për strategët e fushatës së Partisë Demokrate.
Uashingtoni ka rritur presionin mbi Izraelin në ditët e fundit në lidhje me rritjen e qasjes së ndihmave humanitare për 2.3 milionë banorët e Gazës, shumica e të cilëve janë zhvendosur shumë herë dhe që po përballen me mungesa të ushqimeve, strehimoreve dhe medikamenteve. Një rritje e fundit e sulmeve ajrore e ka shtyrë numrin e përgjithshëm të viktimave që nga tetori i vitit të kaluar në më shumë se 42500.
Por, edhe nëse Izraeli do të vendoste të shpallte fitoren në Gaza me vdekjen e Sinwarit – diçka që analistët e kanë parashikuar prej kohësh – kjo nuk do të thotë se po vjen “një ditë e re”. Zyrtarët izraelitë e kanë bërë të qartë se kontrolli dhe operacionet e tyre ushtarake do të vazhdojnë në Gaza sa kohë që ata e konsiderojnë të nevojshme dhe askush ende nuk ka propozuar një strukturë të re politike në Gaza që mund të pranohet nga të gjitha palët.
Të enjten, Benny Ganz, politikani opozitar, e vlerësoi vdekjen e Sinwarit si një “arritje të rëndësishme” por, insistoi se ushtarakët izraelitë “do të vazhdojnë të operojnë në Rripin e Gazës edhe për shumë vite të tjera”.
Izraeli tashmë e ka kthyer vëmendjen tek Hezbollahu në Liban, dhe më gjerë kundër Iranit në të gjithë rajonin. Netanyahu deri tani e ka refuzuar çdo armëpushim në veri duke u justifikuar se Izraeli është në avantazh, dhe akoma nuk ka urdhëruar hakmarrje ndaj Iranit, i cili javë më parë lëshoi mbi 180 raketa drejt Tel Avivit. Ky kundërsulm padyshim që do të vijë.
Vrasja e Sinwarit do të forcojë më tej besimin e zyrtarëve ushtarakë, të inteligjencës dhe politikës izraelite, të cilët tashmë janë inkurajuar shumë nga sukseset e tyre të fundit. Shumë nga mendimet strategjike të Izraelit janë të dominuara nga nevoja për të rikthyer atë që ata e shohin si frikësim të nevojshëm për mbijetesën e tyre, dhe për të dobësuar përherë Iranin.
Eliminimi i Sinwarit do të sjell gëzim për shumë izraelitë – politikisht i dobishëm për Netanyahun dhe mbështetësit e tij dhe një goditje e madhe për Hamasin, por është e pamundur që të sjellë një fund të papritur të konfliktit shumëvjeçar në Lindjen e Mesme./The Guardian