Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një proteste ka deklaruar se negociatat për integrimin e Shqipërisë në BE janë hapur për shkaqe gjeostrategjike, por theksoi se regjimi i Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter tjetër për këtë proces.
Berisha e quajti Ramën një “narkoregjim”, duke e krahasuar situatën në Shqipëri me vende si Tunizia dhe Venezuela. Ai akuzoi Ramën për mashtrime dhe për veprime të paligjshme, duke thënë se çdo shqiptar duhet ta dijë se këto negociata nuk janë të merituara.
Fjala:
Për të bërë të besueshëm narrativën e tij, ai lidhi ndërhyrjen e tij mjekësore, me firmosjen, me hapjen e negociatave që janë hapur para katër vitesh.
Edi Rama, negociatat u hapën katër vite më parë dhe u rihapën këtë javë pas 11 viteve mashtrime, mashtrime, dhe vetëm mashtrime.
Negociatat janë hapur dhe çdo shqiptar duhet ta dijë, se janë hapur tërësisht për shkaqe gjeostrategjike.
Partia Demokratike si lokomotivë e proceseve integruese, si një parti që mbështet dhe konsideron integrimin e shqiptarëve në BE si të ardhmen më të mirë të tyre, deklaron para shqiptarëve dhe botës se përveç kriterit gjeostrategjik, narkoregjimi i Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin në BE.
Narkoregjimi i Edi Ramës, si asnjë vend tjetër i Europës, ngjashëm me Tunizinë e Sajedit, Venezuelën e Maduros, është vendi i arrestimeve, burgosjeve, atentateve, sulmeve fizike, marrjes së mandateve në rrugë antikushtetuese të lidërve, parlamentarëve, qeveritarëve vendor, eksponentëve të opozitës.
Edi Rama, ti je turpi, je turpi i Europës, je turpi i vendeve të lira të botës. Je turpi i botës, bashkë me Maduron, bashkë me Llukashenkon.
Dhe u garantoj se shpejt banesa turpit të historisë të pret, atje ku kanë përfunduar të gjithë narkosit, diktatorët si puna jote.