Kryetari i PD-Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Basha shprehet se ndarja e politikës nga krimi mbetet prioritet për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.
Ai thotë që për vite me radhë ka denoncuar lidhjet e Edi Ramës dhe të emëruarve të tij me botën e errët të krimit.
“Koha provoi edhe njëherë si të drejtë qëndrimin tonë mbi kriminalizimin e politikës, por kjo nuk mjafton.
Unë personalisht dhe Demokratët Euroatlantikë mbështesim punën e SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por politika ka detyrë të mos mbyllë veshët teksa në bankat e të akuzuarve ulen ata që betohen për t’i shërbyer qytetarëve, por në fakt emërohen për t’i shërbyer interesave të krimit të organizuar.
Prandaj, propozimi im për vetting-un në politikë, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, por i mbajtur peng nga kolegët e Jurgis Çyrbes, është instrumenti i duhur ligjor për të thyer hallkat që lidhin politikën me krimin, duke e zbrazur parlamentin nga bedelët e bandave.
Kjo pengesë artificiale për pengimin e vetting-ut në politikë, teksa koha e provon si të drejtë dhe të domosdoshëm, duhet të marrë fund.
Shqipëria nuk është vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë sepse i mungojnë burimet njerëzore dhe natyrore, por sepse keqqeveriset duke i shërbyer të korruptuarve dhe krimit të organizuar, jo qytetarëve”, shkruan Basha.